Mustafa për fushatën e VV-së kundër LDK-së: Fali o Zot, janë të rinj…
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj fushatës së ashpër të Lëvizjes Vetëvendosje kundër partisë së tij.
Ai iu është referuar fushatës kundër LDK-së në rrjete sociale duke thënë se për ta Jezu Krishti do të thoshte: Fali i Zot, ndërsa Ibrahim Rugova do të shtonte: Mos të merremi me ta. Të rinj janë. Kanë kohë të piqen.
Më tutje, ai ka porositur bashkëpartiakët e tij ta ruajnë gjakftohtësinë në paraqitjet publike dhe të mos ua kthejnë në të njëjtën mënyrë.
Mustafa ka shtuar se vendimet e LDK-së janë në të mirë të Kosovës dhe dinjitetit të vendit, duke porositur të shtohet kujdesi në luftën kundër koronavirusit.
Ky është postimi i tij:
Të dashur miq,
Besoj e keni vërejtur që nëpër media, e sidomos në rrjetet sociale, po zhvillohet një fushatë e orkestruar kundër LDK-së dhe strukturave të saj drejtuese.
Jezu Krishti do të thoshte: Fali o Zot. Nuk janë të vetëdijshëm për veprimet e tyre. E Ibrahim Rugova sigurisht do të shtonte: Mos të merremi me ta. Të rinj janë. Kanë kohë të piqen.
I vëmendshëm për situatën në të cilën ndodhemi shkaku i pandemisë, ju drejtohem me lutjen për ta injoruar këtë propagandë, që përveç se përhapë të pavërteta, tenton të krijoj përçarje në këtë kohë të vështirë për qytetarët e vendit tonë.
Vendimet e LDK-së, si gjithmonë, janë në të mirë të LDK-së, dinjitetit të saj, në të mirë të Kosovës dhe në funksion të ruajtjes së raporteve të Kosovës me partnerët tanë amerikanë dhe me vendet e BE-së.
Duke mos dashur të ngarkojmë qytetarët e Kosovës në këtë kohë kur të gjithë po ballafaqohemi me armikun e shëndetit dhe jetës sonë, ne nuk po ua kthejmë me të njejtën formë sulmet që po na bëhen si LDK.
LDK-ja, si gjithmonë, do ta ruaj nivelin e saj të komunikimit korekt me qytetarët dhe me oponentët politik.
Jo sepse nuk jemi më të zotët se ata që na sulmojnë. Por, sepse jemi të bindur se kështu i kontribuojmë unitetit të kombit dhe qytetarisë që përpiqemi ta kultivojmë.
Kërkoj nga bashkëpunëtorët e mi në LDK që në paraqitjet e tyre publike, në media apo përmes rrjeteve sociale, ta ruajnë gjakftohtësinë dhe t’i kontribuojnë menaxhimit sa më të mirë të gjendjes në të cilën ndodhemi.
Nga të gjithë përfaqësuesit e LDK-së në institucionet qendrore dhe lokale, pavarësisht vështirësive me të cilat ballafaqohen, kërkoj të jenë në krye të detyrës dhe t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve, pavarësisht çdo lloj përkatësie që mund t’i takojnë.
Me shpresën për mirëkuptim, besoj që pajtohemi se në këtë situatë, ne duhet të ruajmë unitetin e LDK-së dhe të mos lejojmë që agjendat kundër LDK-së dhe kundër interesave të Kosovës të mundin të vërtetën për ne, për Kosovën dhe për domosdoshmërinë e ruajtjes dhe kultivimit të raporteve speciale të Kosovës me SHBA-të dhe aleatët tjerë të Kosovës.
LDK-ja ka ditur gjithmonë ta ruaj veten dhe Kosovën nga agjendat e dëmshme.
Ndaj ju ftoj që edhe këtë herë ta bëjmë detyrën tonë.
Kosova është atdheu ynë i shtrenjtë.
Kosova është e sigurt vetëm kur LDK-ja është e fortë dhe e udhëheqë atë. Me njerëzit e saj të mirë dhe me miqtë e saj të dëshmuar.
Ju uroj të gjithëve shëndet. Shpresoj ta kalojmë këtë pandemi, me kujdes, durim dhe besim në Zot.
Me angazhimin tuaj të përkushtuar, LDK-ja do ta kaloj edhe këtë stuhi e do t’i ndihmoj Kosovës të imunizohet prej virusit të përçarjes dhe ta shpërthej izolimin e saj prej botës.
Besoni.
Ka shpresë.
LDK-ja është shpresa e Kosovës.
Me respekt,
Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.