Mustafa flet për liberalizimin, ia përmend Haradinajt Çakorin e Zhlebin
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas dështimit të Kosovës për liberalizim vizash e ka fajësuar qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinajt, që përveç tjerash sipas tij, nuk merr as përgjegjësi.
Në një shkrim të titulluar “Liberalizimi, Çakori e Zhlebi”, ish- kryeministri Mustafa tha se mbetëm pa përmbushje të zotimeve për liberalizim dhe mbetëm pa përmbushje të zotimeve se kufiri do të zhvendoset ne Çakor dhe për gjithë këtë askush nuk merr përgjegjësi.
“Ishte kontestimi që ia bëri kryetari i AAK-së, tani kryeministër, me kauzë të rrejshme marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi që qoi që procesi i liberalizimit të mos fillojë me kohë. Ai dhe disa shërbyes të tij, deputetë e profesorë, ngulnin këmbë se kufiri është në Zhleb dhe Çakorr dhe se Kosova po humb 8200 hektarë. Këtë vit demarkacioni u ratifikua, e votuan 80 deputetë, kufiri nuk po lëvizë, mbeti aty ku u caktua me marrëveshje, por vizat nuk u hoqën ”, është shprehur ai.
Sipas Mustafës, do të ishte mirë që para ambasadave, ku rreshtohen e maltretohen me qindra qytetarë me nga një çantë dokumente për të marrë një vizë, t’ua vejmë fotot e atyre që me paturpësi, vetëm për të përfituar nga popullizmi, sollën në këtë situatë.
“BE-ja nuk ishte parimore me Kosovën, se na vëri më shumë kushte sesa vendeve të tjera, por BE-ja na informoi me kohë, në vitin 2015 dhe 2016, se nëse vonohemi me ratifikim të marrëveshjes, do të prolongohet liberalizimi. Këtë e kanë ditur të gjithë!”, ka thënë ai.
Tutje Mustafa tha se nuk duhet pasur iluzione as në të ardhmen se me një Qeveri me 1/3 e ministrave me aktakuza, që merr vendime arbitrare, me 80 zëvendësministra, do të hiqen vizat.
“Vizat së pari duhet t’ia heqin qeverisë së tanishme për ta quar në shtëpi, e pastaj t’ia heqin vetvetes duke e zgjedhur një qeveri, e cila punon për interesat e qytetarëve e jo për klientelën e vet”, ka shkruar ndër të tjera kreu i LDK-së.