Mustafa e pranon se do të ketë vështirësi për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL
Kosova qysh në muajin janar ka parashtruar kërkesën për t’u anëtarësuar në organizatën ndërkombëtare policore – INTERPOL, por ende mbetet e paqartë nëse gjatë muajit tetor në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate që mbahet në Kili, do të marrë mbështetjen e nevojshme për t’u bërë pjesë e kësaj organizate.
E deri sa afrohet koha për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme, Serbia është duke i vazhduar serish përpjekjet për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Duke e marrë për bazë këtë fakt dhe të tjerë, ministri Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa në një formë është shprehur skeptik nëse Kosova do të arrijë të marrë mbështetje të mjaftueshme.
Ai për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se gjasat që Kosova të merr mbështetje nuk janë të këqija, por vështirësi do të ketë, sepse Asambleja mbahet në Kili, vend ky që nuk e ka njohur Kosovën.
“Gjasat e Kosovës për anëtarësim në Interpol nuk janë të këqija, madje situata mund të jetë pak më e mirë se herën e fundit kur Kosova nuk arriti të siguronte votat e mjaftueshme për anëtarësim. Por, vështirësi do të ketë, sepse Asambleja mbahet në Kili, një vend ky që nuk e ka njohur Kosovën”, ka thënë ai.
Edhe pse Kosova i ka përmbushur gjithë kriteret, ministri Mustafa thotë se paqartësia për anëtarësim është edhe për faktin se Interpoli është politizuar tashmë dhe gjithçka aty vendoset në baza politike.
Kurse sa i përket lobimit tek shtetet që pritet të kundërshtojnë përmes votës së tyre, si pasojë e fushatës së egër që po zhvillon Serbia kundër Kosovës, Mustafa ka thënë se kjo pjesë bie mbi Ministrinë e Jashtme, e cila si kundërpërgjigje do të duhej ta kryente punën e saj me gjithë vendet veç e veç.
“Ministria e Brendshme e ka kryer punën e saj, ndërsa sa i përket lobimit tek vendet votuese besoj se është në kompetencë të Ministrisë së Jashtme. Ne theksojmë faktin edhe në takime me partnerë ndërkombëtarë se pranimi i Kosovës në Interpol është pozitive edhe për aspektin e sigurisë rajonale”, ka thënë për FaktePlus, Mustafa.
Ndërkaq jo më larg se sot Serbia ka treguar publikisht se është duke i vazhduar përpjekjet për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare, INTERPOL.
Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar që gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, në tetor në Kili, do të theksojë se nuk ekzistojnë arsyeje as policore, as politike e as ligjore që Kosova të pranohet në këtë organizatë.
“Nuk do të lejojmë që takimi i Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit të kalojë pa luftën tonë. Unë do të udhëheq delegacionin serb dhe do të shkojmë më herët atje për të biseduar me një numër të madh të ministrave të Brendshëm që cilët në esencë vendosin rreth votimit”, ka thënë Stefanoviq për mediet serbe.
Kujtojmë se më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.
Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme./FaktePlus