Mustafa: Duhet qeveri me mandat të plotë, LDK e gatshme të krijojë shumicën paralmentare
Pas kërkesës së presidentit Thaçi për deklarim, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se partia e tij nuk është pro zgjedhjeve, dhe se përkrah krijimin e një qeverie të re të shumicës.
Mustafa tha se në këto momente, sipas tij vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje, dhe se duhet të bëhen përpjekje që të themelohet një qeveri që mund ta qeveris vendin në formë normale, shkruan FaktePlus.
“Unë mund të them në emër të LDK-së se ne vlerësojmë se në këto momente nuk duhet të shkohet në zgjedhje, dhe duhet të bëjmë përpjekje që të themelojmë një qeveri që mund ta qeveris vendin në mënyrë normale”, tha Mustafa.
Sipas Mustafës, Kosovës i duhet një qeveria që mund të punojë me kompetencë dhe mandat të plotë.
“Vendit i nevojitet një qeveri që mund të punojë me kompetencë dhe mandat të plotë. Momenti i tanishëm me të cilin po ballafaqohet Kosova, nuk mundëson që ne të organizojmë zgjedhje të rregullta, dhe ky është një faktor shtesë që ne duhet të nxjerrim një qeveri që siguron shumicën në Kuvendin e Kosovës. Mendoj që këtë duhet ta bëjmë bashkarisht, dhe vlerësoj deklarimin e çdo subjekti politik për këtë çështje”, tha Mustafa.