Musliu: Shuarja e task-forcës për luftimin e korrupsionit është vendim hakmarrës
Betim Musliu nga IKD-ja ka thënë se vendimi për shfuqizimin e task-forcës për luftimin e korrupsionit është vendim hakmarrës.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ky është një prej vendimeve më skandaloze që Qeveria Hoti e ka marrë.
“Është një prej vendimeve më skandaloze nga Qeveria Hoti e cila po e dëshmon që është ajo qeveri që është duke luftuar një mekanizëm i cili e ka luftuar çdo veprimtari korruptive që është lidhur me profilin e lartë. Unë besoj që vendimi i sotëm paraqet një nga vendimet më hakmarrëse dhe persekutuese dhe paraqet mungesë të sigurisë juridike për qytetarët e Kosovës sepse sot për sot askush nuk është i sigurt”, ka thënë ai.
Musliu tutje ka shtuar se në këtë vendim shihet se hakmarrja e qeverisë është në masë persekutuese ndaj gjithë hetuesve dhe gjithë task-forcës, e cila sipas tij, është duke i hetuar pjesëtarët e Qeverisë Hoti për veprimtari të mëdha korruptive.
“Vendimi është skandaloz dhe është mesazh i poshtër për të gjithë ata që janë bartës në funksionet publike sidomos ata që janë në sistemin e drejtësisë, po ju thuhet se të gjithë ju që na cenoni neve, që na rrezikoni si zyrtarë publik atëherë ne do ta shfrytëzojmë çdo mundësi që t’iu luftojmë”, ka thënë ai.
Ai thotë se kjo task-forcë është themeluar në vitin 2010 si kërkesë e BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë të cilët kanë konsideruar që në kuadër të prokurorisë speciale duhet ta jetë edhe një mekanizëm hetues i cili luan rolin e një policie gjyqësore që është në mandat të drejtpërdrejtë të Prokurorisë Speciale.
“Për 10 vjet nuk është që ka shkëlqyer kjo task-forcë, jo pse nuk kanë bërë punë, porse shkëlqimi ka munguar se të gjitha rastet në një apo tjetër formë janë dështuar me qëllim nga pakurorë të cilët janë udhëhequr në stilin ‘alla-pronto’ e që qellim nuk e kanë pasur ta udhëheqin secilin hetim por që këta i kanë sfidu në secilin hap të punës së tyre që ata të mos jenë të suksesshëm”, ka thënë ai.