Musliu: Çkapja e shtetit fillon dhe mbaron me veting
Betim Musliu konsideron se çkapja e shtetit nënkupton ndryshim rrënjësor nga praktikat e deritashme. Sipas tij, sjellja e personave në pozita kyç nga Qeveria e re duhet të përcillet me vendosjen e njerëzve që kanë integritet të lartë, dhe jo e kundërta.
Musliu është hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), vizioni i të cilit është konsolidimi i shoqërisë me vlera demokratike, e cila respekton dhe promovon parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.
Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ai ka theksuar se, në dekadën e fundit, administrata publike në masë të madhe është politizuar dhe se punësimet e emërimet në institucione të pavarura, si në sektorin e drejtësisë, sigurisë, por edhe në ndërmarrje publike dhe në agjenci të pavarura, janë bërë mbi bazën e lidhjeve politike, familjare apo interesave të tjera të ngushta, që pikë reference kanë grupacionet politike.
Ai i ka vlerësuar pozitivisht disa vendime të Qeverisë së re, për të cilat konsideron se janë në funksion të çkapjes së shtetit, por ka qenë edhe kritik ndaj disa të tjerave.
Midis të tjerash, në këtë intervistë Musliu konsideron se në asnjë formë nuk duhet të ketë tendenca që në emër të çkapjes të ndërrohen kapësit e shtetit.