Muriqi, titullar për Fenerbahcen kundër Konyasporit
Superliga turke po vazhdon të zhvillojë ndeshje nëpër stadiume të mbushura me tifozë, përkundër që ligat e mëdha të Evropës janë suspenduar shkaku i koronavirusit. Sot në orën 18:00, sulmuesi kosovar Vedat Muriqi do të luajë nga minuta e parë për Fenerbahcen në ndeshjen kundër Konyasporit.
Ligat më të mëdha të Evropës dhe kudo në botë kanë filluar t’i suspendojnë ndeshjet e xhirove të ardhshme, shkaku i shqetësimeve për përhapjen e virusit Covid-19, që këtë javë u shpall pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
La Liga, Serie A, Bundesliga, Ligue 1, MLS, Eredivisie e Premierliga kanë marrë vendim që t’i suspendojnë ndeshjet për të ardhmen e afërt, përderisa më vonë do të vendoset edhe për xhirot vijuese, varësisht nga situata.
Superliga turke nuk ka ndërmarrë një vendim të tillë ende. Ndeshjet të kësaj lige do të mbahen edhe këtë javë, si ajo sot në orën 18:00 mes Fenerbahces të Vedat Muriqit dhe Konyasporit, në kuadër të xhiros së 26-të të Superligës turke.
Vedat Muriqi do të luajë nga minuta e parë në këtë ndeshje dhe do të tentojë të arrijë ta shënojë golin e 14-të për këtë sezon të ligës elitare të futbollit në Turqi.
Në Turqi deri më tani janë konfirmuar pesë raste me koronavirus, përderisa nuk ka pasur asnjë vdekje të shënuar shkaku i virusit.
İlk 11’imiz! 👇 #İHKSvFB pic.twitter.com/OgN8IyonEp
— Fenerbahçe SK (@Fenerbahce) March 14, 2020