Muriqi mbërrin në Itali, për t’iu bashkuar Lazios
Vedat Muriqi ka mbërritur në Romë pak pas orës 14:00, për t’iu nënshtruar testeve mjekësore të hënën në mëngjes para se të nënshkruajë marrëveshje me Lazion.
Përfaqësuesi i Kosovës fluturoi drejt Romës nga Aeroporti Ataturk në Stamboll sot në mesditë, për ta kompletuar kalimin nga Fenerbahce në Lazio.
Me të mbërritur në aeroportin e kryeqytit italian, sulmuesi nga Prizreni e vendosi shallin e Lazios rreth qafës.
Gjatë kësaj jave, Fenerbahce dhe Lazio arritën marrëveshje në vlerë rreth 20 milionë euro për shërbimet e Muriqit, i cili do të zyrtarizohet te klubit nga Serie A të hënën.
Muriqi pritet t’i kryejë testet mjekësore me Lazion të hënën para se ta vendosë nënshkrimin mbi një marrëveshje pesëvjeçare.
Duke folur për gazetarët turq para nisjes drejt kryeqytetit italian, Muriqi tregoi arsyet pse e zgjodhi Lazion: “Arsyeja pse e zgjodha Lazion është se ajo më kërkoi shumë mua dhe unë vlerësoj se i përshtatem stilit të lojës së këtij ekipi.”
“Po shkoj në një ekip të ri. Synimi im i parë është të jem i suksesshëm në Romë dhe pastaj të luaj për klubet më të mëdha në botë në vitet në vijim. Tani do ta jap më të mirën nga vetja për Lazion”, nënvizoi ai.
Sulmuesi nga Prizreni po largohet nga Feneri pas vetëm një sezoni, ku la shumë mbresa.
Ai iu bashkua Fenerbahces nga Rizespori për 3.5 milionë euro verën e kaluar, duke i shënuare 17 gola në 36 ndeshje në fanellën e verdhezi.