Mungesat që mund t’i lënë gjimnazet e Prishtinës pa nxënës
Nëse ecuria e procesit mësimor do të jetë e njëjtë sikur në dy vitet e kalauara, atëherë vendimi i marrë nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës mund t’i lë pa nxënës gjithë gjimnazet e shkollat e mesme të kryeqytetit. Kjo pasi limiti i caktuar për mungesa tejkalohet mesatarisht tri herë nga nxënësit.
Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës këto ditë ka marrë vendim që nxënësve me 30 mungesa të paarsyeshme, t’u humbet e drejta për të vijuar procesin mësimor për një vit të tërë.
Por, problem do të jetë nëse drejtoria nuk shfuqizon këtë vendim dhe rrjedhimisht nuk ka ndryshim as në procesin mësimor dhe vazhdohet sikurse vitet e kaluara.
Kjo për faktin se bazuar në statistika për totalin e mungesave në nivelin e arsimit parauniversitar ka tejkalim të dukshëm të numrit prej 30 mungesave pa arsyeje.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus, posedon një raport të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës për procesin mësimor 2017 -2018, ku janë të evidentuara mungesat për tri nivelet e arsimit parauniversitar të shkollave të kryeqytetit.
Jonuz Salihaj, drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës ka thënë për FaktePlus se vendimi është vetëm për nivelin e tretë të arsimit parauniversitar. “Kjo është e rregulluar me ligj. Vetëm për nivelin 3 (gjimnazet dhe shkollat profesionale)”, tha Salihaj.
Gjimnazet: Mesatarja 87 mungesa për një nxënës
Numri i përgjithshëm i nxënësve në nivelin e arsimit parauniversitar (gjimnazet dhe shkollat e mesme) në kryeqytet arrin në 10032 nxënës.
Të dhënat e raportit që e posedon FaktePlus tregojnë se për vitin 2017/2018 në total janë regjistruar fiks 873157 mungesa, që i bie mesatarisht mbi 87 mungesa të arsyeshme e paarsyeshme janë për një nxënës gjatë vitit të kaluar mësimor. Kurse nxënësit e këtij niveli mësimor kanë bërë në tërësi mbi 343 mijë mungesa të paarsyeshme ose mesatarisht 34.2 mungesa të pa arsyeshme për një nxënës.
Raporti i Drejtorisë së Arsimit për nivelin e tretë arsimor tregon se veç gjatë këtij viti (2018) janë regjistruar në total 363329 mungesa, prej tyre 224033 (61.66 për qind) janë të arsyeshme dhe 139296 (38.33 për qind) të pa arsyeshme. Ndërsa vitin paraprak janë regjistruar gjithsej 509828 mungesa, prej tyre 302898 të arsyeshme dhe 204707 të pa arsyeshme.
Bazuar në të dhënat që disponojmë dhe nëse bëjmë një krahasim mund të konstatojmë që ka rënie të numrit të mungesave. Numri i përgjithshëm i mungesave ka rënie për 146499, numri mungesave të arsyeshme ka rënie për 8865, ndërsa numri i mungesave të paarsyeshme ka rënie për 65411. Numri mesatar i mungesave për një nxënës në vitin shkollor 2017/18 është 20.41, ndërsa në vitin paraprak ka qenë 32.7.
Më pak mungesa klasët VI dhe IX
Raporti ka evidentuar edhe numrin e përgjithshëm të nxënësve në nivelin 2, klasat VI–IX, ku në këtë nivel kanë qenë 12687 nxënës. Gjatë këtij viti janë regjistruar gjithsej 259054 mungesa, prej tyre 200918 (77.56%) janë të arsyeshme dhe 58136 (22.44%) të pa arsyeshme, ndërsa vitin paraprak janë regjistruar gjithsej 551629 mungesa, prej tyre 443346 të arsyeshme dhe 108283 të pa arsyeshme.
Në bazë të krahasimit ka rënie të numrit të mungesave. Numri i përgjithshëm i mungesave ka rënie për 47089, numri mungesave të arsyeshme ka rënje për 40901, ndërsa numri i mungesave të paarsyeshme ka rënie për 6188 mungesa. Numri mesatar i mungesave për një nxënës në vitin shkollor 2017/18 është 20.41 ndërsa në vitin paraprak ishte 32.78.
Vocërrakët mungojnë më së paku
Gjatë vitit shkollor 2017/18 në nivelin e parë, klasat I-V, mësimet i kanë vijuar 16279 nxënës. Mesatarja për një nxënë ka qenë 19 mungesa.
Gjatë këtij viti janë regjistruar gjithsej 131727 mungesa, prej tyre 123411 (94%) janë të arsyeshme dhe 8316 (6%) të pa arsyeshme.
Ndërsa vitin paraprak janë regjistruar gjithsej 178816 mungesa, prej tyre 164312 të arsyeshme dhe 14504 të pa arsyeshme.
Në bazë të krahasimit thuhet se ka rënie të numrit të mungesave. Numri i përgjithshëm i mungesave ka rënie prej 0.74%, numri i mungesave të arsyeshme ka rënike prej 0.75% ndërsa numri i mungesave të paarsyeshme ka rënie prej 0.58%.
Në Komunën e Prishtinës, procesi edukativo-arsimor zhvillohet në 43 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta. /M.Buzhala- FaktePlus/