“Mungesa e stabilitetit politikë është duke e dëmtuar ekonominë kosovare”, eskpertët: Qeveria duhet të reflektojë
Njohës të ekonomisë vlerësojnë se mungesa e stabilitetit politikë është duke e dëmtuar ekonominë kosovare në forma të ndryshme. Duke folur për Radio Kosovën, ata thonë se Qeveria duhet të reflektojë, sepse çdo ditë, do të jetë e humbur për qytetarët e Kosovës.
Problemet politike në vend, janë duke e zbehur zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, duke folur për Radio Kosovën, thotë se situata duhet të analizohet në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm. Ai tha se masat e BE-së ndaj Kosovës, kanë bërë që të ketë rënie të investimeve të huaja dhe të ketë një hendikep të zhvillimit ekonomik të vendit, i cili siç thotë Gërxhaliu, po zbehet çdo ditë.
“Këto masa të përcjella edhe me masa të tjera e zbehin biznesin në Kosovë në forma të ndryshme, dhe kemi rënie në importe e eksporte, kemi rënie totale të investimeve të huaja, kemi ikje të bizneseve nga Kosova duke investuar në vendet e rajonit. Në Shqipëri e Mal të Zi, investitorët më të mëdhenj janë nga Kosova, Maqedoni e Slloveni, dhe kjo duhet të jetë brenga më e madhe që të kuptohet se sa është i rëndësishëm stabiliteti politik në Kosovë dhe për Kosovën. Fajtori kyç është Serbia, por duhet të kemi diplomaci politike dhe ekonomike që të ky realitet vërtet të aktualizohet, të lobohet dhe me gjithë këtë modaliteti të zgjidhet”, tha ai.
Ku ka rrezik politik, ka edhe rreziqe të tjera, vlerëson ndërkaq njohësi i ekonomisë, Arijan Sahiti.
“Rreziku kryesor është jostabiliteti politik. P.sh, kur ka pasiguri nuk ka investime të huaja direke, këto investime të huaja direkte që janë në Kosovë kryesisht në sektorin bankar, nuk ofrojnë kredi të volitshme dhe të favorshme me norma të ulëta të interesit, për shkak se edhe ato janë biznese, d.m.th. kur ka pasiguri të tilla politike jo vetëm që mungojnë investimet nga jashtë por edhe nga brenda, sidomos sektori bankar refuzon dhe rrezik me dhënë norma të ulëta të interesit, në aspektin ekonomik. Kur ka këso lloj krizash politike e territoriale, njerëzit janë të fokusuar në kursim sesa në investim”, tha ai.
Analistët vlerësojnë se qeveria duhet të reflektojë, sepse çdo ditë, do të jetë e humbur për qytetarët e Kosovë.