Mungesa e mjeteve mbrojtëse, Klina futet në karantinë
Përveç Vitisë, në karantinë të plotë është futur edhe qyteti i Klinës.
Ky qytet, prej ku vjen 20 vjeçarja e infektuar me koronavirus nga dy të infektuarit e parë në Kosovë me koronavirus, është e qetë por po funksionon pa mjete mbrojtëse.
Kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj ka thënë se Klina nuk mund t’i ndihmojë personat që shfaqin simptoma të koronavirusit.
“Situata është e qetë në funksion të respektimit të vendimeve të qeverisë. Nuk kemi mjete mbrojtëse, ka diçka minimalisht, QKMF është duke funksionuar por nëse ka simptoma të koronavirusit, Klina nuk mund t’i ndihmojë, por duhet të kërkojnë ndihmë nga IKSHPK.”, tha Elezaj.
Më tutje, Elezaj ka dhënë për lajmi.net detaje të karantinimit brenda qytetit të Klinës.
Ai tha se në karantinë janë të gjitha familjet që kanë pasur kontakt me kompaninë ku ka punuar vajza, pra në një fshat janë rreth 40 persona në karantinë, punëtorë të kompanisë ku ka punuar vajza e infektuar.
“Janë në karantinë të gjitha ato familje që kanë pasur kontakt me kompaninë ku ka punuar vajza e infektuar. Një fshat rreth 40 persona janë në karantinë, por deri tani nuk ka shqetësime të tyre deri më tani, 2-3 persona që e kanë shoqëruar vajzën në Prishtinë janë ndaluar në Prishtinë. Pjesa tjetër është e izoluar në Leskoc. Të gjithë ata që kanë pasur kontakt me të infektuarën janë në karantinë, por edhe qyteti dhe fshatrat janë të izoluara.”, tha Elezaj për lajmi.net.
I pyetur nëse qyteti i Klinës mund të merret me situatën, Elezaj tha se kjo nuk është e mundur.
“Jo, qyteti i Klinës nuk ka kapacitet të merret me komplet situatën. Është panik i njerëzve që kanë nevojë të marrin shërbime nga QKMF dhe iu themi të drejtohen sa më pak sepse mund të jetë burim i shpërndarjes së infektimit.”, tha Elezaj për lajmi.net.
I infektuari tjetër me koronavirus është një 77 vjeçar nga Vitia i cili ka hyrë në Kosovë më 5 mars nga Italia.