Mundësi të barabarta në tregun online falë rregullave të CEFTA për parandalimin e gjeo-bllokimit
Edhepse në shikim të parë mund të duket që nuk ka kufi në hapësirën online dhe se bota është në pëllëmbë të dorës, realiteti mund të jetë krejtësisht ndryshe në situata të caktuara. Le të marrim si shembull tregtinë online, e cila është vazhdimisht në rritje pasi që duam të kursejmë kohë dhe para.
Në teori, procesi i tregtimit online është i thjeshtë, lehtë dhe efektiv në kosto. Sidoqoftë, shtrohet pyetja nëse kjo është e vërtetë në praktikë – veçanërisht kur shohim situatën dhe mjedisin tonë sa i përket marrëveshjeve ndërkufitare në lidhje me internetin.
Përgjigjja është jo, dhe një nga problemet është bllokimi gjeografik, me të cilin secili është përballur së paku një herë si banor i Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit.
Çfarë është bllokimi gjeografik?
Ashtu siç edhe sugjeron emri, nënkupton kufizim në qasje të përmbajtjeve në internet, shërbimeve ose produkteve bazuar në lokacionin gjeografik të përdoruesve (IP adresës së tyre, vendit ku jetojnë, punojnë etj.). Manifestohet në mënyra të ndryshme, duke mos pasur mundësi për qasje në uebfaqe të caktuara, produkte të dëshiruara dhe shërbime që nuk janë të qasshme ne treg ose dhe nëse arrini që të porosisini, kushtet janë me të këqija sesa për konsumatorët e tregjeve të tjera.
Sa i zakonshëm është ky fenomen?
Disa vite me parë, CEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore) realizoi një studim për këtë praktikë, dhe rezultatet treguan që mungesa e dyqaneve online është me së shumti e shprehur në Moldavi (87.5%), Serbi (86.4%), Kosovë (72%), Maqedoni Veriore (69%), Bosnjë dhe Hercegovinë (68.8%). Më pak e shprehur është në Shqipëri (61.9%) dhe Mal të Zi (60.9%). Studimi analizoi situatën në secilin anëtar të CEFTA-së dhe përfaqësues të bizneseve identifikuan problemet më të mëdha si: procedurat e komplikuara logjistike dhe për konsumatorë, taksat e larta për dërgime jashtë tregut lokal, paqartësitë gjatë dërgimit, taksat e dyfishta.
Duke marrë parasysh se procesi i tregut online përfshin disa hapa të rëndësishëm të tillë si: qasje në blerjet online, regjistrimi, pagesa, dërgesa, dhe se gjeo-bllokimi mund të ndodhë në secilën prej këtyre fazave, nuk është për t’u çuditur që shumica e konsiderojnë këtë proces diskriminues dhe që duhet të ndalojë sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Prandaj, CEFTA ndërmerr aktivitete të shumta, me qëllim të ofrimit të shanseve të barabarta për të gjithë konsumatorët pavarësisht se cilit grup të CEFTA-së i takojnë.
Çfarë na ofrojnë rregullat e CEFTA-së për ndalimin e gjeo-bllokimit?
Plani i veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2021-2024 synon lëvizjen e lirë të të mirave dhe shërbimeve brenda CEFTA-së dhe gjeo-bllokimi është një nga barrierat që ata dëshirojnë ta eliminojnë. Po ashtu, kur të zbatohet, Vendimi i Komitetit të Përbashkët do mundësojë aplikimin e rregullave të Bashkimit Evropian brenda CEFTA-së, përderisa Plani për Rritje të Reja brenda Ballkanit Perëndimor do mundësojë aplikimin e tyre brenda Bashkimit Evropian.
Përmes këtyre dhe shumë dokumenteve të tjera dhe aktiviteteve, qëllimi është që të mundësohet qasja në të mira dhe shërbime, të lehtësohen transaksionet e pagesave, të lehtësohet qasja në uebfaqe për shërbime online. Përveç kësaj, falë rregullave të CEFTA-së, tregtarët nuk do të kenë mundësi që të diskriminojnë konsumatorët:
Duke bllokuar qasjen e tyre në uebfaqe
Duke i ri-drejtuar në uebfaqe lokale
Duke ua ndaluar qasjen ose duke u ofruar kushte të ndryshme për të mirat ose shërbimet elektronike, p.sh rezervimi i hoteleve, hosting të uebfaqeve etj.
Fokusi poashtu është për të mundësuar qasje në të gjitha dyqanet online dhe parandaluar diskriminimin gjatë transaksioneve të pagesave. Tregtarët nuk do të mund të bllokojnë qasjen e konsumatorëve në tregun online pavarësisht se pjesë e cilit treg të CEFTA-së janë.
Ata po ashtu nuk do të jenë në gjendje të imponojnë kushte të ndryshme për pagesë për shkak të vendbanimit të tyre ose adresës së biznesit.
A ka situata kur gjeo-bllokimi është i lejuar?
Edhepse gjeo-bllokimi nuk është i pranueshëm në shumë segmente, ka edhe përjashtime.
Rregullat e lartpërmendura të CEFTA-së përjashtojnë shërbime në lidhje me mbrojtjen e të drejtave autoriale apo veprave jo-fizike (transmetimi i muzikës dhe librat elektronikë). Po ashtu, të përjashtuar janë shërbimet audio-vizuale, financiare, shëndetësore dhe sociale. Gjeo-bllokimi është i justifikueshëm në rast të luftimit të veprimeve ilegale dhe përmbajtjeve në internet.
E gjithë kjo na sjell në përfundimin se kjo është një çështje që ka nevojë për vëmendje të veçantë. Prandaj, disa nga pengesat do të tejkalohen duke aplikuar rregulla të përbashkëta në gjeo-bllokim, ndërsa të tjera do të fokusohen në iniciativa të tjera që kanë për qëllim përmirësimin e tregut online brenda CEFTA-së, modeluar sipas Bashkimit Evropian.
Mësoni më shumë për veprimet e CEFTA-së në tregun digjital në Planin e Veprimit të CEFTA-së për Tregun Elektronik.