Muja: Pagat i rritëm më shumë sesa PDK-ja, e LDK-ja s’i ka rritur kurrë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Armend Muja, ka kundërshtuar kritikat se vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave është elektoral. Sipas tij, pagat janë rritur secilin vit e se nuk ka lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Ideja është që pagat janë rritë vit pas viti në bazë të rritjes ekonomike. Sa më e lartë është performanca ekonomike, ai është parimi që e kemi ndjekë. Nuk është e vërtetë çfarë thuhet se pagat po rriten në prag të zgjedhjeve”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Muja ka reaguar ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i së cilës ka deklaruar se në javën e parë të qeverisjes së tij koeficienti i pagave do të jetë 150 euro. Ka thënë se LDK-ja është subjekti i vetëm që nuk ka rritur asnjëherë paga.
Kritika i ka drejtuar edhe Partisë Demokratike të Kosovës, pasi ka thënë se rritja e pagave për tri vjet është më e madhe se që është bërë për 10 vjet.
“Rritja e pagave në sektorin publik e ka tejkaluar shkallën e rritjes së inflacionit. Ne na thuhet, kritikat më të mëdha ose zhurma më e madhe bëhet p.sh. te LDK-ja ka shumë kritikë, por dua të theksoj se dy ministra të financave i ka pasur LDK-ja. I vetmi subjekt që nuk ka histori të rritjes së pagave është LDK-ja, s’kanë rritë kurrë vetë pagë. Edhe te pjesa e PDK-së që thuhet ‘ah këta kanë rritë paga’, nuk është e vërtetë. Rritja që e kemi bë ne për tri vjet është më e madhe se rritja që këta e kanë bërë për 10 vjet radhazi. Rritja e pagave në sektorin privat që nga koha kur ne kemi ardhur në pushtet është më e madhe për tri vjet se gjithë rritja e pagave të sektorit privat nga viti 2010 deri 2020”, është shprehur Muja.