Muhaxhiri: BE mos ta kërkojë bajrakun kur për 9 vite s’ka bërë asgjë për dialogun Kosovë-Serbi
Analisti Artan Muhaxhiri ka komentuar pritshmëritë e tij rreth takimit të paralajmëruar me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, mes palës serbe dhe asaj kosovare.
Muhaxhiri deklaroi se takimi i Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak me liderët politikë kosovarë është thyrje e akullit pas gjithë zhvillimeve politike kohëve të fundit.
“Mendoj që suksesi i Lajçak është vet takim me presidentin Thaçi dhe liderët tjerë politikë kosovarë pasi prej fillimit ka pasur kundërshtime të mëdha dhe vet faktit që ka ndodhur ky takim mendoj se është thyrje e akullit mes Kosovës dhe BE-së, është e qartë pasi edhe Thaçi e përmendi disa herë Amerikën dhe rëndësinë e saj në këtë dialog”.
“Fillimisht duhet të thuhet që vendimi qe të takohen më 27 qershor palët e Kosovës dhe Serbisë në Washington është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe në gjithë dramën amerikane Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë gjejnë kohë për Kosovën dhe kjo tregon për rëndësinë e madhe të këtij takimi dhe kësaj marrëveshje”.
Muhaxhiri në Klan Kosova mes tjerash ka folur edhe për pozicionet e Amerikës dhe Bashkimit Europian në këtë takim dhe arritjes së marrëveshjes finale.
“Asnjë marrëveshje e madhe në Ballkan nuk është bërë pa insistimin e madh të Amerikës dhe çdoherë BE ka pasur diversitet të madh brenda vetes”.
Muhaxhiri mes tjerash foli edhe rreth rivalitetit mes Amerikës dhe BE-së në këtë mes.
“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar më 2011. Janë bërë nëntë vite që në jemi në pozita konfliktuoze dhe ka pasur marrëveshje që janë realizuar në Bruksel dhe nuk janë zbatuar në praktikë dhe tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë insistuar që të bëhet më energjike dhe kjo mund edhe të jetë si lloj ofendimi ndaj BE-së për kinse marrje të pushtetit por nëse për nëntë vjet nuk ka arritur të bëjë marrëveshje në dialog nuk duhet të kërkohet bajraku për këtë gjë”.
“As Amerika nuk e ka luksin që të hyjë në një betejë të ashpër me BE-në, mirëpo as BE-ja nuk do të dorëzohet apo ta bëjë të njëjtën gjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani është në pyetje çështja e iniciativës BE-ja e ka pasur mundësinë dhe nuk e ka shfrytëzuar tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë këtë iniciativë por ajo që duhet të thuhet vazhdimisht është që Kosova nuk mund të vazhdojë kështu pa një status të qartë në raport me Kombet e Bashkuara dhe e gjithë ideja e këtij procesi dhe marrëveshjes do të jetë anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe heret apo vonë kjo duhet të bëhet – më mirë tani sesa më vonë”, deklaroi Muhaxhiri.