MTI-ja padit ish-ministrin Bajram Hasani për mijëra euro të shpenzuara në udhëtime zyrtare (Dokument)
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka paditur ish-ministrin Bajram Hasanin, i cili sa ishte në krye të MTI-së, nuk i kishte kthyer mjetet e marra paradhënie nga arka e Ministrisë në shumën prej 2.323 euro, gjatë vitit të kaluar.
Bazuar në dokumentin e siguruar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus, MTI-ja ka kërkuar nga Avokati i Përgjithshëm i Avokaturës Shtetërore, Sami Istrefi që të nis procedurat e inicimit të padisë.
Kjo kërkesë sipas MTI-së bazohet në nenin 67 të ligjit Nr.03/L-48 për Menaxhimin financave publike dhe nenin 24 të ligjit nr. 03/L-22 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për menaxhimin e këtyre financave.
“Në bazë të udhëzimit Administrativ nr.MSHP 2004/07 për udhëtimet zyrtare kërkojmë këtë inicim të padisë”, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Gjatë ditës së djeshme Agjencia e Lajmeve FaktePlus, ka raportuar për të gjeturat, fillimisht të Zyrës Kombëtare të Auditimit, e që më pas sipas dokumenteve të siguruara doli se këto keqpërdorime kishin ndodhur nga vetë ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.
LEXO EDHE: Udhëtimi zyrtar i Bajram Hasanit në SHBA, mijëra euro të shpenzuar nuk arsyetohen
Bëhet fjalë për para të shfrytëzuara në udhëtime jashtë vendit të cilat nuk e kanë arsyetuar qëllimin dhe barazimin e tyre në Ministri brenda afatit të caktuar.
Ish-ministri Bajram Hasani, kishte qëndruar një javë në SHBA, në Hotele si Arlington Holiday Inn Key Bridge dhe Towson Sheraton Baltimore, shkruan FaktePlus
Siç përmendet edhe në të gjeturat e Auditorit, këto para të shfrytëzuara nga buxheti i shtetit nuk janë mbyllur ose barazuar në afatin e paraparë me ligj, madje as sot e kësaj dite./FaktePlus