MPJ tregon nëse i dha leje Gjuriqit për të vizituar Kosovën
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq do të vizitojë Kosovën gjatë të premtes.
Bashkë me të në Kosovë do të jetë edhe Ministri i Arsimit të Serbisë, Mladen Sarçeviq.
Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se tashmë i është konfirmuar leja për të ardhur në Kosovë.
Kjo gjë u bë e ditur nga zyrtari i MPJ-së, Liridon Llapashtica për indeksonline.
“Gjuriq zyrtarisht ka kërkuar leje dhe i është lejuar hyrja në Kosovë”, ka thënë Llapashtica.
Ndryshe kjo vizitë e Gjuriq është lidhur me “krizën humanitare” që Beogradi po kurdis në veri të vendit. Në veri po tentohet të paraqitet një gjendje tejet e rëndë e jetës së komunitetit serb gjoja për mungesë të produkteve me prejardhje nga Serbia.
Pavarësisht kësaj, nga MPJ nuk është bërë e ditur arsyeja e kërkesës për vizitë nga Gjuriq.
Gjuriq ka pasur shpesh herë kërkesa për vizita në veri të vendit, por shumë prej tyre janë refuzuar pasi që i njëjti herë pas herë pati deklarime nga më të ndryshmet në drejtim të autoriteteve kosovare.