MPJ e Xhamajkës për FaktePlus: S’e kemi njohur Kosovën, për të të ardhur keq nëse ka ndodhur ndonjë keqkuptim
Shteti i Xhamajkës ka reaguar edhe njëherë, pak ditë pasi ministrja e jashtme Kamina Johnson-Smith mohoi lajmin e dhënë nga presidenti Hashim Thaçi se vendi i saj e kishte njohur Kosovën shtet të pavarur. Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus kanë konfirmuar se ende nuk e kanë njohur Kosovën por se çështje si këto, janë nën rishqyrtim të vazhdueshëm nga Qeveria atje. Ndërkohë e konsiderojnë për të ardhur keq një keqkuptim të mundshëm që mund t’i ketë ndodhur pozicionit të Xhamajkës në raport me këtë çështje.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme është bërë e vetëdijshme për njoftimet publike në lidhje me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Çështjet si këto janë nën rishikim të vazhdueshëm nga Qeveria e Xhamajkës. Në këtë kohë, megjithatë, Xhamajka nuk ka marrë asnjë vendim rreth çështjes. Prandaj, është për të ardhur keq nëse mund të ketë ndodhur një keqkuptim i pozitës së Xhamajkës”, ka thënë për FaktePlus Delona Flemming, drejtoreshë për Komunikim dhe Marrëdhënie Publike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme në Xhamajkë.
Kujtojmë që ishte presidenti Hashim Thaçi i pari që kishte thënë se shteti nga ishulli i Karaibeve e kishte njohur Kosovën, pasi pretendonte se kështu e kishte njoftuar ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.
Atë e morën të mirëqenë si kryeministria, ministria e punëve të Jashtme, pozitë e opozitë, duke uruar për këtë ‘njohje’.
Por pak kohë më vonë, ministrja e jashtme Smith e demantoi presidentin në ‘Twitter’ duke thënë se shteti nga Amerika Veriore nuk e kishte njohur Kosovën deri në atë datë.
Reagime të shumta pasuan nga analistë e shoqëria civile, të cilët ia atribuuan këtë dështim aktorëve të ndryshëm në politikën kosovare dhe që e panë këtë situatë si një damkë të madhe për vendin.
Pas krejt kësaj situate reagoi edhe Zyra e Presidentit duke e përsëritur atë çka kishte shkruar presidenti Thaçi në ‘Twitter’, duke thënë se ishte ambasadorja Çitaku që i kishte njoftuar për këtë si ata, ashtu edhe kryeministrinë dhe ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ndërsa edhe ministri Glauk Konjufca kishte reaguar duke thënë se atë e kishte njoftuar ambasada në ShBA përmes e-mailit dhe kishte bërë të ditur se shumë shpejt do të marrë veprime në lidhje me përgjegjësitë e gjithsecilit.
E ditën e djeshme më në fund ‘e theu akullin’ edhe ambasadorja Çitaku. Ajo tha se çdo gjë do të sqarohet me kohë pasi janë të përfshira shumë palë, përfshirë edhe aso jashtë Kosovës. Deklaroi se do të ishte jokorrekte e jodiplomatike të përmendeshin emra kurse u mor edhe me zv/kryeministrin Abazi.
116 shtete e kanë njohur Kosovën që nga shpallja e Pavarësisë. Në vitin 2019 nuk ka pasur asnjë njohje kurse vetëm një ka ndodhur në vitin 2018./FaktePlus