Mosmiratimi i ligjeve e vështirëson gjendjen e sektorit privat, analistët kërkojnë unifikim të spektrit politik
Ekonomia kosovare po vazhdon të shënojë rënie që nga muaji mars kur u shënuan rastet e para me coronavirus.
Dëme ekonomisë sipas njohësve të kësaj fushe po i ndihmon edhe politika kosovare, të cilët thonë se prioritet e kanë politikat e partisë e jo rimëkëmbjen ekonomike.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE), Emrush Ujkani, vlerësoi se të gjithë mekanizmat duhet të binden që Kosovës i duhet ndihma për ta luftuar këtë virus vdekjeprurës.
Ai theksoi se mos rishikimi i buxhetit në Kuvendin e Kosovës nuk ka kurrfarë justifikimi.
Tutje, Ujkani tha se Kuvendi i Kosovës ka dhënë një shembull jo të mirë dhe në seancën e ardhshme pret që të njëjtat të ratifikohen dhe këto ligje të kalohen sa më shpejt që është e mundur.
“Kemi një polarizim të skenës politike në 3 mujorin e fundit që ka qenë më shumë e tensionuar në periudhat më herët. Por që të ndodh mos rishikimi i buxhetit në kuvendin e Kosovës nuk ka kurrfarë justifikimi. Edhe në të kaluarën ka pasur polarizim ndërmjet partive politike gjë që është detyrë e tyre”.
“Mendoj që dje kuvendi i Kosovës ka dhënë një shembull jo të mirë dhe në seancën e ardhshme të njëjtat të ratifikohen. Nuk ka asnjë justifikim që një deputet grup parlamentar të partive politike mund ta përdorin për t’iu thënë jo këtyre marrëveshjeve. Këto ligje duhet të kalohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Pasojat e Covid-19 do të jenë më afatgjate dhe do të ballafaqohemi edhe vitin tjetër me këto pasoja. Atë që kuvendi i Kosovës duhet të bëjë është vetëm hapi i parë që të krijojë infrastrukturën ligjore që edhe buxheti të jetë aty, por edhe këto marrëveshje të miratohen në këto rrethana që jemi”, shtoi Ujkani.
Ai përmendi dëmet që i ka shkaktuar pandemia sektorit privat, duke e bërë edhe më të rënduar gjendjen në këtë sektor.
Ujkani tha se mos miratimi i këtyre ligjeve do të vështirësojë gjendjen e sektorit privat në Kosovë.
“Sektori privat është mjaft i dëmtuar por ky dëmtim dhe këto pasoja do të vijnë duke u rënduar. Mjafton të përmendet fakti që pakoja emergjente ende nuk është zbatuar në pjesën më të madhe të saj dhe tani ka ankesa se nuk ka mjete të mjaftueshme se nuk është bërë planifikimi si duhet, ndërsa në anën tjetër po i bllokojnë instrumentet financiare të cilat mund t’i ndihmojnë vendit. Unë mendoj që mos miratimi i këtyre ligjeve do të vështirësojë gjendjen e sektorit privat në Kosovë”, shtoi ai.
Mes tjerash, Ujkani tha se pa kontributin e sektorit privat as sektori publik nuk mund të mbijetojë.
“Sektori privat janë taksa paguesit e këtij vendi. Buxheti i Kosovës në pjesën më të madhe është ai që krijohet nga taksat që vijnë nga sektori privat. Mendoj në ata çka është rimëkëmbje ekonomike e përgjithshme këtu duhet të jemi të gjithë bashkë edhe sektori publik edhe ai privat. Pa kontributin e sektorit privat as sektori publik nuk mund të mbijetojë”, shtoi Ujkani.
Sipas tij, zvogëlimi i pagave nuk do të pritet mirë, andaj Qeveria duhet të gjej zgjidhje për sektorin privat dhe publik.
Ujkani theksoi se secila kategori mund të krijojë trazira në vendin tonë si gastronomia dhe të tjera, mirëpo kanë arritur ta ruajnë qetësinë.
“Zvogëlimi i pagave nuk mund të pritet mirë. Duhet të gjinden mekanizma për të gjetur një ujdi mes të dy poleve të cilat nuk janë të njëjta. Por të provojë Qeveria që të gjejë një zgjidhje që do t’i kënaqte të dy palët”.
“Secila kategori mund të krijojë trazira në vendin tonë por kanë ditur ta ruajnë qetësinë edhe gastronomia edhe shumë kategori tjera. Një dukuri e tillë nuk ka ardhur për shkak të atij ministri apo asaj qeverie, por është një pandemi dhe është dukuri globale. Qeveria duhet të gjejë zgjidhje ta mbështesë edhe sektorin privat”, shtoi ai.
Se Kosova është duke u ballafaquar me një krizë të thellë ekonomike, e thotë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu.
Gërxheliu në një intervistë për Ekonomia Online, konsideron se deputetët në parlamentin e Kosovës janë duke i mbrojtur më shumë interesat e partive politike sesa qytetarëve,
Sipas tij, Kosova është duke u ballafaquar me një situatë ekonomike alarmante, ku shumicës së qytetarëve u ka humbur shpresa për të jetuar në këtu.
“Në rend të parë duhet të kuptohet që Kosova ka hyrë në krizë më krizë dhe pikërisht nga pandemia me Coronavirus tani jemi duke u ballafaquar me pandeminë ekonomike dhe sociale dhe ajo çka është duke e dëmtuar aktualitetin ekonomik në Kosovë. Jemi dëshmitar të një realiteti të hidhur të krijuar ku deputetët në parlamentin e Kosovës më tepër po i mbrojnë interesat e partive politike sesa të shtetit. Dhe misioni i tyre është që të bëjnë më shumë për popullin sepse në fund të fundit janë në parlament falë votës së qytetarëve. Me këtë bllokim për inate dhe këtë qasje në parlamentin e Kosovës janë duke e dëmtuar Kosovën në shumë dimensione”.
“Në aspektin ekonomik është e pamundur të mendohet rimëkëmbja ekonomike pa një partneritet me institucione kredibile ndërkombëtare. Në rend të parë tek qytetarët është një zhgënjim që i kanë dhënë votën dhe janë duke e degraduar veten duke qenë se deputet është koha kur të reflektojnë në këtë kohë pandemie dhe krizave dhe në këtë kohë kur Kosova është duke u ballafaquar me shumë sfida por edhe sa i përket normalizimit të dialogut Kosovë-Serbi. Sot jemi duke u ballafaquar me një situatë ekonomike alarmante dhe me kokëfortësinë e deputetëve në parlamentin e Kosovës, ku shumicës së qytetarëve u ka humbur shpresa për të jetuar në Kosovë”, shtoi Gërxhaliu.
Mes tjerash, Gërxhaliu tha se në një shtet ku sektori privat anashkalohet dhe kur agjenda politike dominon, në këtë formë çfarë është duke dominuar në Kosovës, ky sektor është e pamundur të përjetojë rimëkëmbje.
“Vendet e rajonit kanë bërë tri katër hapa në përmbushje të kërkesave të sektorit privat dhe ne edhe më tutje jemi në fazën e parë në pakon emergjente e cila nuk ka përfunduar. Në një shtet ku sektori publik gjeneron vende të punës dhe nuk ka mbështetje të sektorit privat dhe sektori privat është ai që e bënë buxhetin për të funksionuar shteti besoj që meritojnë një tretman më të mirë. Kosova në vitin 2020 ka hyrë pa qeveri, pa buxhetin e miratuar, dhe rezerva buxhetore paramendoni me çfarë sfidash po ballafaqohet Kosova dhe ministria e Financave në përgjithësi”, shtoi ai.
Ai tha se Kosova ka 19 për qind të GDP-së të huazuar që është 1 miliard e 370 milionë euro, duke quar borxhin deri në 60 për qind.
Sipas tij, për këtë duhet një unitet politik ku për fat të keq Kosova nuk e ka për momentin.
“Duhet të analizohen të gjitha modalitetet sesi duhet të rimëkëmbet ekonomia, nuk duhet të minimizohet fakti që Kosova duhet të rrisë borxhin publik. Ne kemi 19 për qind të GDP të huazuar që është 1 miliard e 370 milion euro jemi në borxhe në 40 deri në 60 për qind. Për këtë duhet një unitet politik ku për fat të keq Kosova nuk e ka për momentin. Por duhet të shikohen edhe modalitete të tjera ku e kemi një rënie në sektorin publik me të vetmin qëllim që të mbështetet sektori privat” shtoi Gërxhaliu.