Mosmarrëveshjet LDK-LVV, Kadaj-Bujupi tregon se a do t’i bashkohet AAK-ja Albin Kurtit
Edhe pse ishin zotuar publikisht se do t’i shpeshtonin takimet me qëllim të arritjes së marrëveshjes finale për bashkëqeverisje, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa, nuk janë ballafaquar me njëri-tjetrin që disa ditë.
Teksa pikë ndarëse mes dy partive përveç tjerave vazhdon të jetë posti i presidentit, gjasat janë minimale që një takim mes dy partive të bëhet së shpejti.
E anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi në një bisedë për FaktePlus tha se mos krijimi i institucioneve nga LDK e LVV, ka lënë një shije të hidhur pas zgjedhjeve të 6 tetorit, pasi nuk po respektohet vota e qytetarëve për rotacion të pushtetit.
“Kjo nuk u respektua dhe nuk u vlerësua çuditërisht nga ata që dolën të parët sepse përkundër faktit se deklaruan vazhdimisht që janë të gatshëm, madje edhe para zgjedhjeve të bashkqeverisin, ata dhanë afate të ndryshme, 72 orë, por u bënë 72 ditë dhe sot jemi këtu ku jemi para një ngërqi politik i cili po i vështirëson proceset dhe po i humb momentet e rëndësishme. Ne e dimë që Kosova ka qenë përballë një periudhe kur do duhej të liberalizoheshin vizat deri në fund të vitit, ka pasur sinjale shumë serioze dhe pozitive. Mirëpo vonesat e formimit të institucioneve kanë bërë që gjithçka të ngecë dhe të kemi një status quo”, tha Kadaj-Bujupi.
Madje, sipas saj, këto dy parti po dëshmojnë se për poste po i mashtrojnë qytetarët të cilëve ua kanë kërkuar besimin në zgjedhje.
“Pra është njëfarë mashtrimi ndaj qytetarëve dhe votuesve të tyre të cilëve u është premtuar se ky koalicion do të jetë koalicion i shpresës dhe ndryshimit të madh. Tani po duket se është koalicion i interesave, i pozitave, i karrigeve, madje edhe i karriges së presidentit që është e okupuar në këtë fazë, nuk është e lirë. Ndërsa ngërçi po shihet që po ndodhë edhe për shkak të presidentit dhe jo vetëm”, është shprehur ajo.
Mes tjerash ajo ka shtuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e vendosur që të qëndrojë në opozitë gjatë legjislaturës së shtatë, ndërsa u ka bërë thirrje partive fituese që t’i formojnë sa më shpejt institucionet dhe ta qojnë në vend votën e qytetarëve.
E nëse LDK-LVV nuk merren vesh dhe dështon një koalicioni mes tyre, Kadaj-Bujupi tregon se a do t’i bashkohet AAK-ja në koalicion Vetëvendosjes.
“Konsiderojmë që institucionet duhet të formohen, nuk kemi marrë asnjë ftesë nga asnjëra palë që të bisedojmë për bashkëpunimet e mundshme. Jemi të vendosur të qëndrojmë në opozitë dhe do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat funksional opozitarë që të mbikëqyrim të gjitha veprimet e këtyre dy subjekteve të cilat me veprimet e tyre të pamatura dhe fëmijërore në këtë periudhën e fundit nuk po japin shpresë se do të sjellin rezultate pozitive as në qeverisje”, ka theksuar deputetja e AAK-së.
Megjithatë, ajo shton se nuk i gëzohen asnjë dështimi të askujt, madje as të LVV-së e LDK-së, sepse nga dështimi i cilido subjekt politik në vend do të pësojë Kosova.
Kujtojmë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar me 26 dhjetor, derisa dy partitë që kanë dalë të parat në zgjedhjet, LVV dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.
Posti i presidentit është pika kyçe në të cilën dy partitë fituese të zgjedhjeve nuk po pajtohen, pasi që është LDK-ja ajo që po insiston se ky post duhet t’i takojë asaj, ndërsa Vetëvendosje është shprehur disa herë radhazi se posti i presidentit nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve./FaktePlus