Mori 18 mijë euro, ndalohet për mashtrim një person nga Gjilani
Prokuroria Themelore në Gjilan e ka ndaluar sot të dyshuarin A.RR., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të mashtrimit, duke marrë nga gjashtë persona një shumë të parave prej 17.800 euro.
Sipas një komunikate për media, thuhet se kjo vepër e mashtrimit dënohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Ekziston dyshimi i bazuar se, në vitin 2015 dhe 2016, në regjionin e Gjilanit dhe Kamenicës, i dyshuari A.RR., gjersa ishte i punësuar në organizatën ndërkombëtare UNHCR – zyra në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në vazhdimësi ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, si punëtor në këtë organizatë, ka kontaktuar me personat që kanë statusin “Povratnika – të kthyerit’’, duke i siguruar se ka lidhje me organizatën dhe duke iu premtuar ndërtimin e shtëpive dhe ndarjen e makinave të ndryshme për bujqësi”, thuhet në komunikatë.
Më tutje thuhet se në këtë mënyrë i dyshuari, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, nga të dëmtuarit R.S., D.S., M.K., ZH.XH., S.S. dhe S.M., ka përfituar shumën prej 17,800 euro./FaktePlus