Momenti përcaktues i presidencës Trump
Çfarë do të konsiderohej para katër vjetësh si moment i mundshëm përcaktues i presidencës së Donald Trumpit?
Për përkrahësit e tij kësulëkuq, mbase do të mund të ishte kompletimi i murit në kufirin jugor të SHBA-së, me festën kulmuese me tepih të kuq me parakalim me presidentin meksikan që do t’ia dorëzonte çekun e kostos së ndërtimit.
Mbase do të ishte edhe kapitullimi tregtar i Kinës në luftën ekonomike, ose dorëzimi i Koresë Veriore në luftën për armët bërthamore. Ose, në rastin më të mirë për mbështetësit, prangosja e Hillary Clintonit në një burg federal, duke jetësuar kështu thirrjen e bujshme “Burgose!”
Dhe afërmendsh se asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur.
Në librat e historisë
Në vend të kësaj, historianët e Donald Trumpit do t’i referohen mandatit të parë – nëse do t’ia dalë ta fitojë edhe të dytin – në krye të Shtëpisë së Bardhë të lidhur me krizën e koronavirusit si moment përcaktues dhe prekjes së presidentit me COVID-19 si moment kulmues.
Dhe tani kemi ardhur në një moment që me siguri se do të mbetet i pashlyeshëm në kapitullin e historisë amerikane – me imazhin e presidentit Trump duke u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, duke u ngjitur shkallëve dhe në ballkon duke hequr maskën derisa helikopteri që e solli nga qendra mjekësore, “Walter Reed”, po ngrihej. Ishte një moment dramatik.
Skena e kthimi ishte trajtuar me kujdes të veçantë në montazh, duke e ngadalësuar pamjen, të shoqëruar me muzikë, për t’u postuar pastaj në llogarinë e presidentit me 87 milionë ndjekës. Dhe kjo formë e fushatës duket se ishte gërshetuar në atë formë që mund të përdorej njëherësh për qëllime të ndryshme. Rivali demokrat, Joe Biden, e përdori për ta sulmuar presidentin republikan për mungesë përgjegjësie.