Momenti kur Atdhe Nuhiu e dërgoi në qiell një popull të tërë
Padyshim një nga momentet më të bukura të asaj nate të 14 Nëntorit, por që fatkeqësisht nuk u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme.
Megjithatë, goli i Atdhe Nuhit në minutën e 50’të ishte triller në vete
Nga një aksion që nuk premtonte shumë, topin e pranoi Florent Hadërgjonaj. Ky i fundit vendosi të harkojë drejt zonës së 16 metërshit çek, aty ku fluturimthi shpërtheu Nuhiu, që me një goditje “vrastare” me kokë dërgoi topin në rrjetë, por jo vetëm.
Me këtë gol, ai i dërgoi në qiell të gjithë shqiptarët anembanë, që ato momente me sy e vesh ishin nga ndeshja. Qindra tifozë të pranishëm në “Doosan Arena” nuk mund t’iu bënin ballë emocioneve, teksa mijëra të tjerë në sheshin “Zahir Pajaziti” veçse “fluturuan” nga gëzimi.
Rezultati tashmë është harruar, por ia vlen ta shikoni me qindra herë, se çka ndodhi në Prishtinë, kur në Plzen, Nuhiu regjistronte shifrat 0-1.