Molliqaj: Kurti tashmë ka pranuar përmbajtjen e dialogut, takimin me Vuçiq e shtyu për arsye populiste
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas lajmit se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka refuzuar të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, më 11 maj në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Molliqaj ka thënë se Kurti dëshiron të duket, por jo edhe të jetë ai që ishte dhe se tashmë ai ka pranuar tashmë ka pranuar kornizat politike dhe përmbajtjen e dialogut.
Sipas tij, kryeministri nuk refuzoi takimin me Vuçiqin, por e shtyu atë për arsye populiste.
“Ai nuk dha asnjë arsye politike e parimore pse nuk merr pjesë në këtë takim. Natyra e arsyetimit ishte protokolare.”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Tutje ai ka thënë se Kurti tashmë është duke e përgatitur ekipin negociator, disa nga të cilët janë emra që i takojnë historikut të dialogut që VV e kundërshtoi nga fillimi.
Ndryshe, kryeministri Kurti ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare në Bruksel që nga ardhja e tij në krye të Qeverisë së Kosovës.
Ai ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Belgjikës, Aleksandar De Croo, për të vazhduar më pas me takimet me Komisionin Evropian.
Takimi i 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ishte paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Postimi i plotë i Molliqajt:
Ai dëshiron të DUKET, por jo edhe të JETË, ai që ishte.
Kurti nuk e refuzoi takimin me Vuçiqin, por e shtyu atë për arsye populiste. Ai nuk dha asnjë arsye politike e parimore pse nuk merr pjesë në këtë takim. Natyra e arsyetimit ishte protokolare.
Kurti tashmë ka zbritur tek simbolikat si zëvendësim për përmbajtjen. Ai dëshiron të duket, por jo edhe të jetë, ai që ishte. Shtyrja është në funksion të imazhit prej një politikani të qëndresës. Por këtij imazhi i ka rrjedhur përmbajtja e nevojshme për rezistencë. Kurti tashmë është duke e përgatitur ekipin negociator, disa nga të cilët janë emra që i takojnë historikut të dialogut që Lëvizja e Kurtit e kundërshtoi nga fillimi.
Ai tashmë ka pranuar kornizat politike dhe përmbajtjen e dialogut. Jo-jat e vogla vijnë pas pranimit të madh.