Molliqaj godet Kurtin: Nuk reagove për linjën ajrore, për Rugovën gjete kohë të shkruash
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, përmes një shkrimi të publikuar në faqen zyrtare Facebook, ka thënë se marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, u nënshkrua duke u bazuar në Rezolutën 1244 dhe aty Kosova nuk u përfaqësua as si palë, por vetëm si agjension. E, për këtë ai shpreh habinë e tij se si, i nominuari për kryeministër, Albin Kurti nuk pati asnjë reagim.
“Me marrëveshjen e fundit, Serbia arriti që çdo çarkullim ajror që bëhet nga dhe drejt Prishtinës e që duhet të kalojë kah hapësira ajrore e Serbisë, të monopolizohet vetëm nga një kompani – që në anën tjetër mund të shërbejë edhe si ndërmjetësuese potencialisht për kompani ajrore të Serbisë. Kjo marrëveshje u nënshkrua duke u bazuar në Rezolutën 1244 dhe aty Kosova nuk u përfaqësua as si palë, por vetëm si një agjension.
Është i papranueshëm lavdërimi i kësaj marrëveshjeje nga pushteti në shkuarje dhe partitë e tjera parlamentare. Është po aq i papranueshëm mos-reagimi i të nominuarit për Kryeministër, që u votua nga qytetarët bash duke premtuar reciprocitet e barazi në raportet e Kosovës me Serbinë”.
Molliqaj tutje ka komentuar edhe statusin e Kurtit për vdekjen e 14 vjetorit të ish-presidentit Rugova.
“Sot, për herë të parë pas 14 viteve, gjeti vullnetin dhe kohën për të komentuar për Rugovën, vetëm dhe vetëm sepse po i duhet për pushtet. Dhe sot, për herë të parë pas 15 vitesh, nuk e kundërshtoi një marrëveshje shumë të dëmshme me Serbinë, vetëm dhe vetëm nga frika që po mbetet pa arritur në pushtet.
Ky është një paralajmërim i qartë që edhe nën qeverinë e tij, Kosova do të dëmtohet shumë në raport me negociatat me Serbinë’, përfundon ai./FaktePlus