Molliqaj: Albin Kurti shkarkoi veten
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar për shkarkimin e Agim Veliut, nga pozita e ministrit nga kryeministri, Albin Kurti.
Përmes, një postimi në profiling e tij në Fcaebook, ai ka shkruar se Albin Kurti sot shkarkoi veten, përcjell FaktePlus.
Sipas tij, Albin Kurti po rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të, po rrezikon marrëveshjen e mundshme përfundimtare që do të zgjidhte problemet tona me Serbinë, po rrezikon të ardhmen e Kosovës.
Postimi i tij i plotë:
ALBIN KURTI SHKARKOI VETEN
Dëshira për protagonizëm absolut, po i sjell shkarkimin Albin Kurtit. Atë po e shkarkon sjellja kapriçioze dhe aspak serioze ndaj aleatit kryesor të Kosovës, SHBA-ve, që u premtoi fillimisht heqjen e taksës kurse tash po i refuzon vetëm sepse po dëshiron të jetë udhëheqësi i vetëm i krejt proceseve.
Albin Kurti po rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të, po rrezikon marrëveshjen e mundshme përfundimtare që do të zgjidhte problemet tona me Serbinë, po rrezikon të ardhmen e Kosovës… vetëm për protagonizëm. Vetëm që të jetë udhëheqësi i vetëm dhe absolut që pyetet për Kosovën.
Tash kur përmes ndërprerjes së investimeve 200 milionëshe nga SHBA, dhe pas kërkesës së fundit zyrtare të ambasadës amerikane për heqjen e taksës, e kuptoi qartë që i ka rrëzuar të gjitha urat e bashkëpunimit me aleatin tonë më të rëndësishëm, po bën taktikë politike se gjoja Agim Veliu na qenka problemi kryesor i qeverisë së tij.
Asnjë qeveri nuk bie për shkak të një ministri. Sikur që nuk u prish koalicioni VV-LDK për shkak të një kryeparlamentari. Emrat e veçantë asnjëherë s’janë arsyet e rënieve të qeverive. Emrat e veçantë janë vetëm figura të një loje të madhe. Përveç kur emri i veçantë është Albin Kurti. Për këtë emër, ai prishë gjithçka tjetër.
Albin Kurti po e rrëzon veten sepse dëshiron ose PUSHTET ABSOLUT dhe të jetë i VETMI që pyetet për Kosovën, ose asgjë. Të gjitha ose asgjë. Kjo është mendësia e Kurtit. Prandaj e kam thënë, dhe po e them sërish, ky njeri në pushtet përbën rrezik serioz për Republikën e Kosovës./FaktePlus