Modernizohet edhe pika kufitare në Mutivodë, priten lehtësira për qarkullim
Mërgimtarët që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, sivjet kur të vijnë për pushime në vendlindje, pritet të kenë pritje më të vogla për të kaluar kufirin, pasi edhe pika kufitare në Mutivodë është bërë me objekt të ri, i cili pritet të krijojë lehtësira për qarkullim.
Vit pas viti gjatë stinës së verës është vështirësuar komunikacioni rrugor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke bërë që mërgimtarët të presim me orë të tëra për të kaluar kufirin.
E për të krijuar lehtësira për qarkullim është ndërtuar edhe një objekt i përbashkët në pikën kufitare në Mutivodë, objekt ky që do të shfrytëzohet nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, kanë bërë me dije se objekti i ndërtuar në pikën kufitare në Mutivodë është në fazën përfundimtare dhe tashmë ka mbetur vetëm pranimi teknik për të filluar puna.
“Objekti në pikën e kalimit kufitar në Mutivodë, është në përfundim e sipër. Pra, është në fazën përfundimtare dhe pritet vetëm pranimi teknik. Pika e Kalimit Kufitar në Mutivodë është pikë e përbashkët e kalimit mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për FaktePlus.
Edhe pse pika kufitare në Mutivodë, është pikë e përbashkët e kontrollit kufitar, secila palë (në këtë rast Kosova dhe Serbia) ushtron veçmas kontrollin e plot kufitar, hyrje/dalje, në pajtim me legjislacionin nacional.
Kosova dhe Serbia, me ndihmën e Bashkimit Evropian, ka vite që kanë nisur ndërtimin e pikave të përhershme dhe të përbashkëta kufitare, si rezultat i marrëveshjes së arritur në Bruksel. Kjo marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufirit, njihet ndryshe si IBM.
Ndërkohë autoritetet e rendit në Kosovë, zakonisht gjatë stinës së verës punojnë me numër të shtuar të personelit policorë dhe atyre doganorë në pika kufitare që mërgimtarët të mos presin gjatë në procedurat e kontrollit kufitar.
Thirrjet e organeve të rendit janë që mërgimtarët të mos fokusohen vetëm në një pikë kufitare, por të shfrytëzojnë të gjitha pikë-kalime kufitare, duke përfshirë këtu edhe të Mutivodës, e cila është modernizuar.
Republika e Kosovës ka gjithsej 16 pika të kalimit të kufitar me katër shtetet fqinje me të cilat kufizohet./FaktePlus