Mjeku që po e trajton Berlusconin: Gjendjen që e ka tani, virusi në mars do e vriste
“Ngarkesa virale në tamponin e marrë nga hundët e Silvio Berlusconit ishte aq e lartë, sa që nëse virusi do e kishte kapur në mars-prill, nuk do të ishte kaq me fat. Do e kishte vrarë. Me siguri po! Këtë gjë e di edhe ai”.
Është kjo deklarata e bërë nga mjeku që po ndjek ish-Kryeministrin italian, Silvio Berlusconi, Alberto Zangrillo, duke folur për ‘La7’.
“Nëse do të thosha përsëri frazën klinikisht i vdekur, ndoshta nuk do të gaboja”, tha ai.
Megjithatë për situatën aktuale të kavalierit, shprehet se është në rrugën e duhur.
“Gjëja themelore në lidhje me Berlusconin, ishte të kuptonte se ai duhej të shkonte në spital, se duhej të shkonte në atë moment dhe se dhjetë orë më vonë mund të ishin tepër vonë pikërisht sepse ai është një pacient në rrezik. Kjo është e vërtetë për të gjithë, jo vetëm për Berlusconin, ne duhet të përmirësojmë afatet kohore, për të shmangur pacientët që mbërrijnë në spital shumë vonë”, deklaroi Zangarillo.
Ish-kryeministri italian prej afro një jave ndodhet i shtruar në spital, i infektuar me koronavirus.