Mjeku kosovar pretendoi se gjeti ‘formulën’ për shërimin e diabetit të tipit 2, ja çka thonë profesionistët
Kirurgu Arbër Morina ‘shokoi’ opinionin kur dje deklaroi se sëmundja e sheqerit apo diabeti i tipit 2 dhe trashja mbinormale mund të shëroheshin. Ai tha se kjo mund të bëhej me anë të një teknike minimale invazive dhe kishte 99 % sukses.
“Lamtumirë insulines dhe të gjitha komplikacioneve nga diabeti. Jeta është një dhe shumë e bukur. Jetojeni atë me sa më pak komplikacione të mundshme”, shkroi Morina në Facebook, teksa ia bashkëngjiti disa fotografi nga një operim.
Nga QKUK-ja nuk ka pasur reagim zyrtar ndërsa profesionistë shëndetësorë thonë se nuk ka gjasa të shërohet në tërësi kjo sëmundje, megjithatë kjo teknikë mund të ketë efekt.
Teknika minimale invazive të cilët kirurgu Arbër Morina e ka proklamuar si teknikë me të cilën mund të shërohet në tërësi diabeti i tipit 2, mund të ketë efekt tek personat mbipeshë. Megjithatë ky tip i diabetit, nuk ka gjasa të shërohet në tërësi.
Kështu ka thënë në një prononcim për FaktePlus, Agron Spahija, endokrinolog.
“Mundet me pasë një ndikim tek pacientët që janë obezë, tek një pjesë e madhe e tyre. Tash edhe në diabet e ka ndikimin por jo 100 %. Efekt mundet me pasë, por jo 100. Ndikimin e ka sepse zvogëlohet pesha, me zvogëlimin e peshës zvogëlohet edhe rezistenca në insulinë dhe efekti qëndron por vetëm tek personat që kanë peshë shumë të madhe”, ka deklaruar Spahija.
Se ky tip i diabetit të tipit 2 nuk mund të shërohet në tërësi, mendon edhe kirurgu i përgjithshëm, Gezim Devolli. Devolli ka thënë për FaktePlus se me heqjen e një pjese të lukthit me operacion e me zvogëlimin e peshës, mundësia që të rritet niveli i sheqerit në gjak është më e vogël , por të shërohet kurrsesi.
“Nuk kam njohur të sakta se çka ka pretenduar doktorri, por s’ska shancë teorike me u shëru diabeti. Mund të jetë një mundësi kur hiqet një copë e lukthit, e kur han njeriu, han më pak, pesha zvogëlohet sepse zvogëlohet masa e lukthit. E kur han ushqime më pak, mundësia me u ngrit sheqeri është më e vogël, por me u shëru kurrsesi. Kjo sepse sëmundja e sheqerit është e pashërueshme, ajo veç rregullohet me barna por jo me operacion”, ka deklaruar Devolli.
Kjo sepse sipas tij, nuk është lukthi por pankreasi përgjegjëse për prodhimin e hormonit të insulinës.
Diabeti i tipit 2 është forma më e zakonshme e sheqerit në gjak. Konsiderohet se 90-95 % e personave me diabet vuajnë nga tipi 2. Mbipesha konsiderohet se i rrit gjasat për t’u prekur nga ky tip i diabetit.
Kjo sëmundje vjen nga fakti se trupi nuk prodhon sa duhet insulinë apo kur është rezistent ndaj saj, pra nuk e përdor si duhet. Është më e zakonshme tek personat e moshuar kurse mund të menaxhohet me kombinim të ushqimit të shëndetshëm, aktiviteteve fizike dhe ilaçeve të ndryshme./FaktePlus.