Mjekët tregojnë për gjendjen e të plagosurit sot në Prishtinë
Edhe një zënkë ka përfunduar me shkëmbim zjarri sot në kryeqytet. Nga gjuajtja me armë një person ka mbetur i plagosur, i cili është dërguar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), i cili po vazhdon të trajtohet.
Pas raportimit në medie, rastin e gjuajtjes me armë zjarri dhe plagosjen në rrugën “Afrim Vitia, në Prishtinë, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja rajonale e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
Ndërsa pas dërgimit të personit të plagosur në spital, për gjendjen e të plagosurit ka folur edhe drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani.
Ai i tha Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se i plagosuri po trajtohet nga ekipet mjekësore dhe se ai është jashtë rrezikut për jetë.
“Në mesditë ka ardhur një i plagosur, me plagë në regjionin e nëngjurit. Ai është jashtë rrezikut për jetë, por ende është në trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente”, ka thënë Lenjani.
Edhe pas hetimeve të para policore ende nuk është treguar se cili ka qenë shkaktari i kësaj ngatërrese të sotme, që për pak ka mundur të përfundoj tragjikisht, sikur ajo e javës së kaluar, ku mbetën të vrarë dy persona dhe dy të tjerë të plagosur./FaktePlus