Mjekët në të gjithë botën: Ne qëndruam në punë për ju, ju qëndroni në shtëpi për ne
Ndërsa pandemia e coronavirusit përhapet gjithnjë e më shumë, ekspertët botërorë thonë se qytetarët duhet të dëgjojnë këshillat e qeverive të ndryshme që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të respektojnë rregullat e higjienës.
Fatkeqësisht, Italia ka një skenar të tmerrshëm. Spitalet janë të mbingarkuara, nuk kanë veshje mbrojtëse dhe respiratorë, transmeton Telegrafi.
Profesionistët e shëndetit sëmuren.
Vetëm në 24 orët e fundit, 627 njerëz kanë vdekur në vend dhe më shumë se 5000 janë infektuar.
“Ne qëndrojmë në punë për ju, ju qëndroni në shtëpi për ne”
Për të mos lejuar që kjo histori të ndodhë në vendet e tjera, profesionistët e shëndetit u kërkojnë qytetarëve të qëndrojnë sa më shumë që të jetë e mundur në shtëpitë e tyre.
Sigurisht, disa profesione janë në vijën e parë të mbrojtjes dhe nuk e kanë atë luksin e qëndrimit në shtëpi.
Mjekët, infermierët, kujdestarët, pastruesit në spitale, farmacistët, dyqanxhinjtë, policia – të gjithë ata janë të ekspozuar ndaj coronavirusit çdo ditë, sepse pa përpjekjen e tyre, i gjithë sistemi do të shembet, po ashtu edhe lufta kundër pandemisë coronavirus.
Prandaj, profesionistët e mjekësisë në të gjithë botën bënë thirrjen “Ne qëndruam në punë për ju, ju qëndroni në shtëpi për ne”.