Ministrja tregon sa muaj kanë në dispozicion qytetarët e Kosovës që të marrin paratë nga Trusti
Ministra nga Qeveria aktuale nën drejtimin e Avdullah Hotit deklaruan ditë më parë se janë duke diskutuar me Trustin Pensional të Kosovës që t’u lejohet qytetarëve një tërheqje deri në 10% e kursimeve, në mënyrë që të kalohet sa më lehtë kriza e ka shkaktuar nga pandemia.
Propozimi në fjalë ka ardhur në shprehje pasi mendohet se sado pak kështu do të ndihmohen qytetarët në këtë kohë krize që po kalojnë për shkak të problemeve që solli përhapja e koronavirusit.
E ky propozim sot ka marrë edhe rrugën institucionale pasi Qeveria Hoti, në mbledhjen e 15-të, ka miratuar projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, e ku përfshihet edhe projektligji që mundëson tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve nga Trusti.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se përmes këtij projektligji plotësohen dhe ndryshohen disa ligje të tjera.
Sipas Bajramit, përmes plotësimeve të bëra qytetarëve të Kosovës do t’iu mundësohet tërheqja e kursimeve prej 10 për qind nga Trusti pensional brenda një periudhe prej 4 muaj nga dita kur aprovohet.
“Qeveria e Kosovës në programin e saj ka një vëmendje për rimëkëmbje ekonomike. Përpos prioritet që i kemi dhënë në rishikimin të buxhetit ne masat për rimëkëmbje i kemi pa edhe me këtë ligj dhe me këtë ligj janë ndryshuar dhe plotësuar disa ligje të tjera dhe këtë janë që do të kenë në fuqi deri me 31 dhjetor. Ligji ka paraparë ndryshimin e ligjit për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore. Po ashtu do të mundësohet edhe heqja prej 10% në periudhën 4 mujore prej datës kur aprovohet ligji”, ka thënë sot për media ministra Bajrami.
Ajo sqaroi se sa i përket rimbursimit, Qeveria e Kosovës ka vendosur që mos t’i tatojë dhe 10% do të merret bruto nga qytetarët.
Në anën tjetër, projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike kryeministri Avdullah Hoti e cilësoi kryesor për zbatimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike.
Kurse qytetarët e interesuar të marrin paratë e mbledhura nga kontributet e tyre, me pak punë mund ta shikojnë online se sa euro u janë grumbulluar në Trust si kontributdhënës.
Mjafton që të regjistroheni në sajtin e këtij institucioni (Trustit), t’i jepni të dhënat e kërkuara dhe brenda 24-orësh, do t’ju jepet qasja në llogarinë tuaj të kursimeve.
Klikoni në këtë link ( https://online.trusti.org/ ) sapo të hapet faqja, klikoni tek kolona “Dua të regjistrohem për llogari në eTrust” dhe pastaj jepni të dhënat e kërkuara, si dhe ngarkoni një kopje të letërnjoftimit, e fotografuar në të dy anët.
Pasi ta keni kryer këtë procedurë, dhe të shtypni në fund butonin “Dërgo”, Trusti ua dërgon një e-mail, në të cilin ndodhet një link ku duhet të klikoni.
Pas kësaj, brenda 24- orësh Trusti do t’ju jap qasje në llogari përmes një njoftimi përmes e-mailit dhe mandej mund të shihni sa para ju janë grumbulluar dhe sa para mund të tërhiqni nëse vendoset edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës./FaktePlus
Marrja e parave nga Trusti – Këtu secili kosovar mund ta shikojë online se sa para i ka