Ministrja Hajdari: Në borde dërguam njerëz që nuk vjedhin, ata nuk do t’i zë vjeshta aty
Mbrëmë Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti emëroi bordin e përkohshëm për Postën e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës “Infrakos” dhe KRU “Prishtina”.
Në këto borde u emëruan njerëz politikë të Vetëvendosjes, për çka ngriti reagime. E sot ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari ka sqaruar këtë.
Ajo tregon se këto janë borde emergjente e që ato nuk do t’i zë vjeshta aty.
Por ka theksuar se këto emërime janë bërë për të ndaluar sipas saj gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët, shkruan FaktePlus.
Postimi i plotë:
Dje në mbledhjen e Qeverisë kemi shkarkuar bordet ekzistuese e më pas kemi emëruar bordet e përkohshme për Postën e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës – Infrakos dhe KRU “Prishtina”. Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët. Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike. Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash. Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LVV. Bordi i ri me mandat të plotë përzgjidhet përmes një procedure të hapur dhe transparente të konkurrimit jo më larg se gjashtë muaj prej tani.