Ministrja e Drejtësisë i drejtohet me një letër Konferencës së Hagës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është drejtuar me një letër Sekretarit Permanent të Konferencës së Hagës, Chrisophe Bernasconi.
Në këtë letër, Ministrja Haxhiu i ka kërkuar Konferencës së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private për të shqyrtuar mundësitë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këtë institucion.
“Përmes këtij anëtarësimi, por bazuar edhe në përvojën në anëtarësimet në konventat e këtilla, Ministria e Drejtësisë është e bindur se një gjë e tillë, do të mundësonte zbatimin e unifikuar të konventave ndërkombëtare në çështjet e së drejtës ndërkombëtare private, si dhe do të lehtësonte qasjen në platforma dhe instrumente multilaterale që kanë të bëjnë me këtë fushë”, thuhet në letrën e ministres Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë ka thënë se për shkak të mos anëtarësimit në këtë konferencë është vështirësuar zbatimi i disa çështjeve.
“Për shkak të mos anëtarësimit në Konferencën e Hagës, është vështirësuar zbatimi i së drejtës në çështjet që lidhen me rrëmbimin ndërkombëtar të fëmijëve, në aspektin civil, si dhe në konteste familjare dhe trashëgimore për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kësisoj, Ministria e Drejtësisë do të punojë me përkushtim në integrimin e Republikës së Kosovës organizata rajonale dhe ndërkombëtare me qëllim të lehtësimit në realizimin e të drejtave të qytetarëve të saj”, thuhet në letrën e dërguar./FaktePlus