Ministrja Bajrami flet për mundësinë e hapjes së çerdheve në Kosovë – sot mbahet një takim
Mbyllja e detyrueshme e shumë institucioneve dhe pezullimi i aktiviteteve për shkak të rrezikut nga përhapja e Koronavirusit, solli probleme të shumta e nga më të ndryshmet për qytetarët. E një prej problemeve që po përballen qytetarët e Kosovës edhe pas fillimit të masave lehtësuese është çështja e kopshteve dhe çerdheve.
E prej fillimit të fazës së parë më 4 maj kur nisi lehtësimi i masave lehtësuese dhe tashmë ka nisur edhe faza e dytë lehtësuese, shumë prindër të cilët punojnë po kërkojnë që të shqyrtohet sa më parë hapja e institucioneve parashkollore.
Kjo meqë po ankohen se nuk po kanë ku t’i lënë fëmijët tash kur ka filluar lehtësimi i masave dhe rikthimi në punë.
E për këtë çështje ka folur sot ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, e cila tha se lidhur institucionet parashkollore, respektivisht kopshteve dhe çerdheve në Kosovë do të diskutohet gjatë ditës së sotme.
“Sa u përket institucioneve parashkollore, respektivisht kopshteve dhe çerdheve në Kosovë ne jemi duke diskutuar me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Shëndetësisë për vlerësimin e gjendjes për hapjen graduale të tyre”, ka thënë për FaktePlus ministrja Bajrami.
Madje ajo tha se ka bërë kërkesë dhe pret të takohet sot ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, për të diskutuar për institucionet parashkollore.
“Sot kam bërë kërkesë dhe pres që me ministrin Vitia të kem takim gjatë ditës ose ditëve të tjera e ku do të jetë edhe drejtori i IKSHPK-së, profesor Naser Ramdani. Aty do të diskutojmë jo vetëm për çerdhe, por edhe për shkollat”, ka thënë ajo.
Ministrja Bajrami thotë se i kanë disa ide se si mund të hapen çerdhet, por asnjë vendim nuk mund të merret pa vlerësimin e situatës.
“Do të ulemi dhe ta diskutojmë dhe vendimet merret në bazë të gjendjes pandemike. Por, në qoftë se duhet të mbahet distanca në çerdhe atëherë sigurisht se është pak problem të mbahet distanca mes fëmijëve. Ndoshta duhet të kufizohet numri i fëmijëve në kopshte”, ka thënë ajo.
Megjithkëtë, sipas ministres do të shikohet që prindërit që janë të angazhuar në punë të kenë përparësi.
“Ne kemi vetëm ide, por duhet të bëhet vlerësimi dhe duhet për tu japin përparësi fëmijëve prindërit e të cilëve punojnë e kështu me radhë”.
Mes tjerash, Bajrami tha se nuk do të merret asnjë vendim pa diskutim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
Kopshtet dhe çerdhet janë mundësia më e mirë për gjithë prindërit që janë të angazhuar në ndonjë punë, për të dërguar fëmijët e tyre për qëndrim ditor aty, por dilemë e tyre vazhdon të jetë ende nëse ato do të hapen këto ditë.
Statistikat tregojnë se janë vetëm 10 për qind e fëmijëve të moshës 1-5 vjeçare në Kosovë vijojnë mësimin në institucionet parashkollore.
Sipas të dhënave që janë publikuar muaj më parë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në vitet paraprake, kanë qenë 42 institucione parashkollore publike në tërë vendin, e në këto institucione janë rreth 5,328 fëmijë.
Ndërsa, sa i përket çerdheve në sektorin privat janë gjithsej 102 osh në gjithë vendin, me 3779 fëmijë të moshës parashkollore.
Ndërkaq, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, qyteti me më së shumti çerdhe private është Prishtina, e cila ka mbi 50 sosh.
Po ashtu, kryeqyteti i Kosovës dominon edhe sa i përket pjesëmarrjes së fëmijëve në këto institucione, ku numri i tyre sillet mbi 1 mijë.
Kujtojmë se shumica e prindërve duan t’i kenë fëmijët e tyre në kopshte e çerdhe, por për shkak të numrit të kufizuar pjesa më e madhe nuk kanë mundur t’i dërgojnë në ato publike. Kështu ata po detyrohen që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në ato private./FaktePlus