Ministria u përgjigjet sindikatave, tregon se çka do të bëhet me Ligjin e Pagave
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) nuk e ka ndërmend t’u ndahet grevave.
Kësaj here shkaktar mund të jetë mospërfshirja e Ligjit për Paga në buxhetin e këtij viti.
Së paku kështu ka paralajmëruar kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj.
Jasharaj gjatë ditës së djeshme ka thënë për FaktePlus, se grevat do të fillojnë nëse vërtetohet që Qeveria Kurti nuk ka ndarë mjete në buxhetin e vitit 2020 për implementimin e këtij ligji.
“Ne kemi paralajmëruar greva sepse ka dalë një lajm jo zyrtar dhe është shpërndarë shpejtë tek anëtarësia jonë, por edhe te sindikata e shëndetësisë, policisë e sindikata të tjera dhe ne kemi mbajtur konsultime edhe me ta. Ky lajm urojmë të mos jetë i vërtetë, i cili thotë se Ministria e Financave dhe Qeveria Kurti duke e përgatitur plan buxhetin për vitin 2020 nuk kanë parapa fare mjete për të implementuar Ligjin e Pagave”, ka thënë ai.
Ai, thotë se nëse ndodhë kjo do të kthehet janari i vitit të kaluar, kur i gjithë sistemi arsimor ishte në grevë për dy javë.
“Larg qoftë nëse nuk janë paraparë në buxhetin e vitit 2020 mjetet e duhura për Ligjin e Pagave atëherë ka rrezik dhe unë jam i sigurt që do të kthehet janari i vitit të kaluar, kur i tërë sistemi arsimor do të shkojë në grevë, nëse këtë kuptohet e kërkojnë mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë dhe unë jam i sigurt që nga takimet me ta se edhe do ta kërkojnë”, ka deklaruar Jasharaj, për FaktePlus.
E, gjatë ditës së sotme SBASHK-u së bashku me sindikatën e Shëndetësisë, e Policisë, kanë takuar kryeministrin Albin Kurti, ku edhe kanë diskutuar pikërisht për këtë çështje.
Pas përfundimit të këtij takimi, i cili ka zgjatur më shumë se një orë e gjysmë përfaqësues të sindikatave kanë deklaruar se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga kryeministri Kurti, duke thënë se përgjigja e tij ka qenë gjysmake.
“Nuk kemi marrë përgjigjen që e kemi pritur, kemi marrë një përgjigje gjysmake. Nuk e kemi marrë një kosto që duhet të jetë për Ligjin e pagave, mirëpo kemi marrë premtim që nëse ky ligj kalon atëherë Qeveria do ulet dhe do ta diskutojë dhe do gjejë kohë edhe për këtë”, ka thënë, Blerim Syla nga Sindikata e Shëndetësisë.
E, nëse krijohet gjithë kjo tollovi, Jasharaj komplet fajin ia ka hedhur Qeverisë Kurti, duke përmendur edhe ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.
Por, të gjitha këto pretendime i hedhin poshtë nga Ministria e Financave.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Muharrem Shahini ka thënë për FaktePlus, se Ministria e Financave është e gatshme që të zbatojë këtë ligj cili do qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Sa i përket Ligjit të Pagave sido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai është vendim i plotfuqishëm dhe ne si Ministri e Financave dhe Transfereve do ta zbatojmë’, ka thënë Shahini.
Ndërsa, i pyetur se a është duke punuar Ministria në buxhetin e vitit 2020 dhe se kur pritet të dërgohet në Qeveri për miratim, Shahini ka deklaruar se kjo mund të ndodhë së shpejti.
“Sa i përket Buxhetit për vitin 2020, ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi bashkë me stafin e Ministrisë është duke punuar intensivisht për harmonizimin e Buxhetit në përputhje me programin e Qeverisë Kurti, në mënyrë që sa më shpejtë të dërgohet në Qeveri për miratim dhe pastaj për aprovim në Kuvendin e Kosovës. Ne si Ministri e Financave dhe Transfereve jemi në përfundim e sipër të harmonizimit të buxhetit sipas prioriteteve të Qeverisë dhe KASH-it dhe së shpejti do ta dërgojmë në Qeveri dhe Kuvend për miratim”.
FaktePlus, ka pyetur edhe në Gjykatën Kushtetuese se a pritet që me 30 mars të merret vendimi dhe se deri ku ka arritur të shqyrtohet Ligji për Paga, por nga Kushtetuesja nuk kanë kthyer përgjigje.
Institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Paga në Sektorin Publik, në dhjetor të vitit të kaluar.
Avokati i Popullit ka konsideruar se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij./FaktePlus
Ligji për Paga, kur do t’i marrin rrogat me rritje punëtorët e sektorit publik?