Ministria nuk e di sa do të kushtojë ndërtimi i kyçjeve të reja në Autostradën “Arbën Xhaferi”
U dhanë qindra miliona euro për ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi”. Kjo rrugë që lidh Prishtinën me Shkupin, u lëshua në qarkullim në muajin maj të këtij viti, por tani do të nisin sërish edhe disa punime për të ndërtuar dy kyçje të reja, në të cilat do të kenë qasje qyteti i Ferizajt dhe ai i Vitisë.
Punët shtesë do të bëhen tani, pasi në këtë projekt qindramilionësh, fillimisht nuk ishin planifikuar kyçjet në autostradë për banorët e Ferizajt dhe Vitisë.
E pas kërkesave të vazhdueshme të banorëve atje, tek një ditë para se të lëshohej për qarkullim autostrada, Qeveria e Kosovës, mori vendim që të bëhet kyçje e re për Ferizajn dhe Vitinë në Autostradën “Arbën Xhaferi”.
Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) për inicimin e procedurave për realizimin e këtyre dy kyçjeve përmes negocimit të drejtpërdrejt me kompaninë “Bechtel&Enka”, siç thuhet, për të evituar procedurat e stërzgjatura të prokurimit.
Megjithëkëtë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), nuk e di se sa para do të jepen për këto kyçje.
Zyrtarë nga MIT kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se kostoja e vazhdimit të kontratës dhe ndërtimit të kyçjeve e mbikalimit në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit, do të definohet tek pas përfundimit të negociatave me konsorciumin “Bechtel&Enka”.
“Me datë 28.05.2019, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim (Nr.10/105) për zgjatjen e afatit të kontratës me konsorciumin Bechtel Enka deri me 01.12.2020, ndërtimin e dy kyçjeve shtesë në Autostradën R6 dhe ndërtimin e Mbikalimit në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit, si dhe ka autorizuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit të negocioj me Konsorciumin “Bechtel&Enka”. Pas përfundimit të negociatave do të definohet edhe kostoja e vazhdimit të kontratës dhe në ndërtimin e këtyre kyçjeve dhe mbikalimit”, ka thënë zyrtarja për informim në këtë dikaster, Fillojetë Konjuhi.
Paratë për këto punë shtesë, siç tregon Konjuhi do të sigurohen nga buxheti i Autostradës R6.
“Punët përgatitore dhe një pjesë e ndërtimit pritet të fillojnë gjatë këtij viti, ndërsa mjetet buxhetore do të sigurohen nga Buxheti i Autostradës R6, ku shumica e mjeteve financiare për këtë projekt janë të planifikuara të shpenzohen deri në vitin 2020”, tregon Konjuhi.
E punët përgatitore dhe një pjesë e ndërtimit të kyçjeve të reja në autostradën “Arbën Xhaferi”, përkatësisht në fshatin Gërlicë dhe tjetra në Zonën Industriale në Ferizaj, priten të fillojnë gjatë këtij viti.
“Punët përgatitore dhe një pjesë e nderimit pritet të fillojnë gjatë këtij viti”, potencon Konjuhi për FaktePlus.
Autostrada “Arbën Xhaferi” me gjatësi prej 65.5 kilometra në fillim ishte thënë se buxhetit të vendit dhe taksapaguesve kosovarë do t’i kushtonte rreth 600 milionë euro, por në fund kostoja e saj ka shkuar në 706 milionë euro, pra mbi 106 milionë euro më shumë sesa planifikimet.
Që në përllogaritje të thjesht i bie që një kilometër në këtë rrugë e cila e lidh Kosovën me Maqedoninë Veriore dhe korridorin 10, ka kushtuar 10.77 milionë euro.
Historia e kostos së kësaj autostrade vazhdon me atë se kostoja ishte rritur për miliona euro për mos planifikimi dhe në pamundësi të pagesës për kryerjen e punimeve nga kompania “Bechtel&Enka” në kohën e ministrit Lutfi Zharku, e që Qeveria e Kosovës, kishte pësuar penaltitë duke “u gjobitur”, nga kjo kompani në shumën prej 53 milionë euro, shumë e cila duhet të paguhet deri më 1 qershor.
Ndërkaq, karakteristikë e Autostradës “Arbën Xhaferi” është se ajo ka urën më të gjatë në rajon, me një gjatësi prej 5.7 kilometra pa ndërprerje, kurse lartësia e urës gjarpërore është 83 metra.
Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Shkup ka zgjatur për pesë vite, krahas “Bechtel&Enka”-s, kanë punuar edhe 900 kompani vendore me gjithsej 9449 punëtorë.
Megjithatë, përfaqësuesit e 25 kompanive vendore, pak ditë pa u lëshuar për qarkullim Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit kishin protestuar kundër kompanisë “Bechtel&Enka”, duke kërkuar borxhet prej afër 1 milion euro, që pretendojnë se u kishte mbetur kjo kompani atyre për punët e kryera në këtë autostradë.
Kujtojmë që punimet për ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi” e cila është hapur për qarkullim më 29 maj 2019-të, kishin filluar në vitin 2014, por që në mungesë të mjeteve financiare u bë që punimet për ndërtimin e saj të vonoheshin për rreth gjashtë muaj.
Ky projekt kishte filluar si ide në vitin 2007 dhe nënshkrimi i kontratës me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel-Enka” ishte bërë më 1 korrik të vitit 2014, në kohën kur ministër i Infrastrukturës ishte Fehmi Mujota.
Pastaj ishte vazhduar edhe në kohën e Lutfi Zharkut dhe shumica e punimeve ishin përfunduar në kohën e ministrit aktual të Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Kjo autostradë, e cila është projekti më i rëndësishëm pas Rrugës së Kombit, që e lidh Republikën e Kosovës dhe të Shqipërisë, është zhvilluar si ide, por edhe si projekt në tri qeveri të Kosovës, Qeveria ‘Thaçi 2’, Qeveria ‘Mustafa’ dhe Qeveria ‘Haradinaj’./FaktePlus