Ministria ndan mbi 1.5 milion euro, fillon pagesa për të angazhuarit në zgjedhje (VIDEO)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka filluar procesimin e pagesave për komisionerët, anëtarët e këshillave të vendvotimeve, si dhe stafin tjetër teknik që janë angazhuar në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë.
KQZ deri më tani ka procesuar në Ministrinë e Financave emrat e më shumë se 11 mijë personave që do të paguhen mbi 1 milion e 500 mijë euro, për angazhimin e tyre në ditët e trajnimit dhe ditën e zgjedhjeve.
E për FaktePlus nga KQZ kanë theksuar se është duke u punuar që të përcillen edhe emrat e tjerë të të angazhuarve në këto zgjedhje dhe pagesat pritet të kryhen deri në fund të këtij muaji.
“Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve ka filluar të procedoj pagesat në lidhje me anëtarët e këshillave të vendvotimeve dhe stafin teknik, të cilët kanë qenë të angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit. Deri më tani në Ministrinë e Financave kemi përcjell listat me emrat e personave të cilët kanë qenë të angazhuar në 23 komuna të ndryshme, pra bëhet fjalë për rreth 11 mijë persona qoftë si staf teknik apo edhe si anëtar i këshillave të vendvotimeve që kanë punuar në ditën e zgjedhjeve. Po punohet që gjatë ditëve në vazhdim të përcillen edhe listat me emrat e personave të tjerë të cilët janë nga komunat e tjera. Besojmë që deri në përfundim të këtij muaji do të arrijmë të përmbyllim të gjitha pagesat për anëtarët e këshillave të vendvotimeve dhe për stafin teknik”, tha Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së po ashtu ka sqaruar se gjatë kryerjes së pagesave mund të ketë edhe kthimit të mjeteve. Ai thekson se pagesat nuk mund të kryhen nëse llogaria është dhënë gabim apo është jo aktive.
“Ka raste kur për shembull kur kthehen pagesat, nuk bëhen, kjo ndodhë për shkak të gabimeve të numrat e llogarive bankare apo edhe kur personat dërgojnë llogari jo aktive ose qoftë edhe llogari të ndonjë individi tjetër, pra në këto raste pagesa nuk bëhet, por që sigurisht këta persona të cilëve nuk iu dalin mjetet duhet të shkojnë në komisionin komunal të zgjedhjeve në komunën përkatëse ku kanë qenë të angazhuar më 6 tetor në mënyrë që të bëjnë përmirësimin i cili kërkohet dhe pastaj sërish ne do të procedojmë emrat e tyre për pagesë në ministrinë e financave”, thotë Elezi.
E në anën tjetër nga Ministria e Financave kanë bërë me dije se tashmë janë duke ekzekutuar pagesat për më shumë se 11 mijë persona.
Sipas ministrisë, vlera e pagesave për gjithë këta njerëz kap shifrën e më shumë se 1 milion e 500 mijë euro.
“Ministria e Financave është duke ekzekutuar pagesat për personat e angazhuar në zgjedhje. Që nga data 02.10. deri më 12.11.2019, nga lëndët e KQZ-së, Thesari ka pranuar kërkesë dhe ka proceduar për ekzekutim të pagesës për 11,981 përfitues në vlerë prej 1,571,008.61€. Momentalisht në Thesar janë duke u proceduar edhe pagesa për 630 përfitues si dhe janë në pritje për procedim edhe 175”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.
Zyrtarët nga kjo ministri kanë treguar se pagesat do të procedohen në vazhdimësi, ashtu siç sillen nga KQZ-ja.
Sipas tyre, ndarja e mjeteve buxhetore për procesin e zgjedhjeve të parakohshme për KQZ-në është bazuar sipas kërkesës dhe materialit të specifikuar nga KQZ-ja.
Kujtojmë se në procesin e zgjedhjeve të 6 tetorit në të gjitha komunat e Kosovës, kanë qenë të angazhuar rreth 23 mijë persona. Për të gjithë këta, KQZ ka paraparë që të ndajë 3 milionë e 740 mijë e 910 euro./FaktePlus