Ministria e Shëndetësisë u përgjigjet pyetjeve më të shpeshta rreth variantit Omicron
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë përgjigje në disa prej pyetjeve më të shpeshta për variantin Omicron, që është përhapur me të madhe në Kosovë.
Përmes disa fotografive të shpërndara në faqen zyrtare, MSh’ja ka treguar rreziqet nga ky variant.
“Rreziku prej variantit Omikron është i lartë për disa arsye: Omikroni shpërndahet shumë më lehtë se variantet e tjera, duke rrezikuar të përhapet në masë. Omikroni gjithashtu mund të infektoj lehtë personat që e kanë kaluar COVID-19 më herët. Vaksinimi mbtet mjeti më efektiv në mbrojtjen kundër COVID-19”, thuhet në postimin e MSh’së.
Ky institucion ka përgjigje edhe për ata që pyesin se pse duhet të vaksinohen kur masat janë të njëjta për të gjithë.
“Sa më shpejtë që vaksinohet shumica e popullatës dhe arrihet imunizimi kolektiv, aq më shpejtë mund të lehtësohen masat. Deri atëherë, mbajtja e maskës, higjiena dhe distance sociale vazhdojnë të jenë mbrojtje efektive për evitim të infektimit me COVID-19.
Ministria ka një apel edhe për ata që e kanë kaluar COVID-19 dhe pyesin se pse duhet të vaksinohen.
“Sepse jo të gjithë që e kalojnë COVID-19 fitojnë imunitet të mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga ri-infektimi. Dhe për më tepër, imuniteti natyral i fituar nga kalimi i sëmundjes vjen duke u dobësua me kohë”, thuhet në postimin e Ministrisë.