Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja përmbyllin vitin e dytë të tranzicionit
Në Kazermën “Adem Jashari” është organizuar ceremonia e përmbylljes së vitit të dytë të tranzicionit të FSK-së.
Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, ka uruar për sukseset e arritura gjatë realizimit të planit dyvjeçar të këtij procesi.
“Sot shënojmë dyvjetorin e lansimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, andaj ndjehem krenar dhe i privilegjuar, që si Ministër i Mbrojtjes të konstatoj se përgjatë kësaj periudhe kemi arritur që të realizojmë pjesën më të madhe të aktiviteteve për këtë periudhë planifikuese, e në disa fusha e komponentë, edhe t’i tejkalojmë ato”, është shprehur Quni.
“Krahas këtyre sukseseve, brenda kësaj periudhe është avancuar sistemi i duhur i hartimit dhe zbatimit të politikave të mbrojtjes në fushën e planifikimit, programimit, modernizimit e standardizimit të forcave, bashkëpunimit ndërkombëtar e integrimeve euroatlantike, inteligjencës dhe sigurisë, sistemit të integruar të burimeve materiale, infrastrukturore e mbështetjes logjistike”.
Ndërkaq Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, është shprehur se gjatë kësaj periudhë kanë përmbushur detyrat.
“Kjo ditë shënon kalimin nga një fazë administrative, doktrinare dhe konceptuale në një fazë të ndërtimit të aftësive teknike, taktike dhe luftarake në nivel të njësive operacionale. Konsideroj, që, pa marrë parasysh sfidat me të cilat jemi përballë, si: tërmeti në Shqipëri, pandemia globale, përmbytjet dhe shkurtimet e vazhdueshme buxhetore, ne kemi arritur që jo vetëm të përmbushim detyrat e parapara në këtë fazë, por edhe t’ i tejkalojmë pritshmëritë tona”.
Pas tij fjalën e ka marrë Drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për FSK-në, Gjenerali Best, i cili ka shprehur gatishmërinë për përkrahje edhe tash e tutje
“Ju përgëzoj për atë që është arritur deri më tani. Veçanërisht ju përgëzoj për qasjen tuaj transparente, angazhimin tuaj për mbikëqyrjen civile, qasjen tuaj multi-etnike dhe theksin mbi drejtësinë dhe sundimin e ligjit. Ishte një nder dhe gëzim për të gjithë ne, në NALT, t’iu ndihmojmë dhe t’iu këshillojmë mbi hapat e ndërmarrë me të gjitha mjetet dhe aftësitë që kemi në dispozicion. NALT-i do të vazhdojë të jetë në krahun tuaj. Ne do të qëndrojmë të përkushtuar ndaj mandatit tonë; për këshilla, lidhje dhe trajnime “.