Ministria e Financave distancohet nga veprimi i AQP-së
Ministria e Financave përmes një komunikate për medie, është distancuar nga veprimi i Agjencisë Qendrore të Prokurimit, i cili shpalli tender milionësh për blerjen e produkteve serbe edhe pse është e vendosur taksa 100 për qind.
“Për hirë të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit, Ministria e Financave sqaron se Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) në kuptim operativ funksionon e pavarur, ndërsa për tenderin e përfolur sot në media, zyra për informim të Ministrisë përkatëse, sqaron se nuk ishte asnjë kompetencë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Me tutje Ministria përmes kësaj komunikate thekson se ajo nuk ka asnjë kompetencë për të caktuar kriteret tenderuese.
“Ndërsa sa i përket tenderit të përfolur sot në Media, ai nuk ka qenë tender i Ministrisë së Financave dhe Ministri i Financave nuk ka asnjë kompetencë për të caktuar kriteret tenderuese dhe listën e mallrave dhe se cilat mallra blehen me tender dhe në cilat kushte duhet të shpallen. Kjo për arsye se Qeveria e Kosovës me Udhëzim Administrativ cakton se cilat mallra duhet të prokurohen nga AQP, në emër të Organizatave Buxhetore”, thuhet në komunikatën e MF-së.
Më tej, thuhet se pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ të aprovuar në Qeveri, AQP në bashkëpunim me organizatat Buxhetore cakton kushtet, kërkesat dhe Obligimet për ta shpallur tenderin, që sipas sqarimit të zyrës për informim të Ministrisë së Financave, asnjë procedurë apo veprim nuk merret dhe nuk kërkohet nga Ministri i Financave që nënkupton se është jashtë kompetencave operative të Ministrit të Financave.
“Zyrtaret e AQP se janë përgjegjës para organeve kompetente dhe ligjore për veprimet e tyre. Përkundër kësaj Ministria e Financave do të marr të gjitha veprimet ligjore për ta sqaruar këtë situatë në AQP”, përfundon komunikata. /Fakteplus