Ministria e Bujqësisë ofron mbështetje fermerëve të Llapit
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka vizituar sot, gjatë të mbjellave pranverore, kultivuesit dhe përpunuesit e perimeve dhe frutave, si dhe bletarët në këtë komunë ku është njoftuar nga afër me punën, sfidat dhe planet e tyre.
“Angazhimi im për të qenë sa më afër prodhuesve bujqësor do të vazhdojë në çdo komunë, me qëllim që të shoh nga afër punën që është duke u bërë në të gjithë sektorët e bujqësisë, e po ashtu për t’u njohur edhe me sfidat me të cilat përballen këta fermer. Bashkëpunimi do të jetë në vazhdimësi, për të ofruar përkrahjen tonë përmes masave të ndryshme për të gjithë prodhuesit vendor”, ka thënë Mustafa.
Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari e falënderoi Mustafën për gatishmërinë dhe përkrahjen e sektorit të bujqësisë në këtë komunë, duke e njoftuar po ashtu edhe për projektet e tyre për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.