Ministria dhe ekspertët së shpejti marrin vendim – A kalon Kosova në fazën e dytë lehtësuese?
Kosova nga 4 maji e ka nisur fazën e parë lehtësuese të masave të izolimit kundër Covid-19 dhe tashmë kanë mbetur edhe katër ditë për t’u futur në fazën e dytë lehtësuese. Por, rastet e fundit të rasteve me infektim nga Koronavirusi mund të paraqesin rrezik dhe vendi të mos vazhdojë hapjen sipas planifikimeve.
Ditëve të fundit Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), por edhe Ministria e Shëndetësisë dhe infektologët kanë bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes e t’u përmbahen rregullave kundër përhapjes së virusit, pasi në të kundërtën do të ketë rrezik dhe mos të ketë lehtësira.
Madje ashpërsim masash kundër Koronavirusit pritet të ketë në Kosovë në rast se nuk respektohen rekomandimet.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për FaktePlus se vendimi nëse Kosova do të kalojë në fazën e dytë do të merret këto ditë.
“Komiteti për menaxhimin e emergjencës së shëndetit publik Covid-19, do të vendos gjatë javës nëse do të vijojë faza e II-të e hapjes graduale apo do të ketë shtyrje të saj për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve të IKSHPK-se dhe masava të marra nga Qeveria nga një pjesë e qytetarëve dhe një pjesë e bizneseve”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.
Pavarësisht kësaj, Hoti tha se janë duke u bërë përgatitje që plani për lehtësim të masave të realizohet.
“Përgatitjet po bëhen që plani për hapje të realizohet, por gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike dhe nga niveli i zbatimit të masave të parapara për fazën e parë të hapjes graduale në të cilën aktualisht është vendi ynë”, ka shtuar ai.
Mirëpo kalimi nga faza e parë në të dytën varet nga disa faktorë. Kështu së paku vlerëson eksperti -infektologu, Valbon Krasniqi, i cili është i angazhuar në Klinikën Infektive, ku po trajtohen të prekurit më Covid-19.
Ai ka thënë se çdo parametër duhet të vlerësohet me shumë kujdes, para se të kalohet në fazën tjetër.
“Kalimi i fazave varet nga situata epidemiologjike dhe parametrave të tjerë, të cilët do të vlerësohen me kujdes në bazë të rekomandimeve të OBSH-së dhe organizatave të tjera shëndetësore kredibile”.
Sipas Krasniqit, duhet të bëhet vlerësimi se në rast se zbuten masat, sa persona potencialisht mund të infektohen.
“Parametri epidemiologjik nënkupton vlerësimin e riskut, se sa persona mund të infektohen në vend në rast të zbutjes së masave si dhe vlerësimi i riskut të personave të kontaktit që mund të zhvillojnë sëmundjen ose edhe vlerësimin i zhvillimit të sëmundjes të personave që janë raste aktive”, ka thënë Krasniqi.
Madje ai shtoi se pas vlerësimit të numrit të personave që mund të preken, duhet të analizohet se sa prej tyre mund të zhvillojnë sëmundjen.
“Parametri tjetër është kimik, nëse nga numri i vlerësuar i personave që do të mund të infektohen, sa prej tyre potencialisht do të mund të zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes, të cilët do të kërkonin trajtim spitalor”, theksoi Krasniqi për FaktePlus.
Infektologu Krasniqi poashtu shtoi se për të përballuar një fluks më të madh të pacientëve të prekur duhet të vlerësohen edhe kapacitetet e sistemit shëndetësor, përkatësisht shtretërve.
Ndonëse, ai konsideron se situata e ditëve të fundit ka qenë dhe është e menaxhueshme, kjo nuk do të thotë se virusi ka kaluar. Krasniqi tha se ndonëse jemi në trend të lirë, ulja e numrit të të prekurve nuk na lejon të relaksohemi.
“Ne kemi thënë edhe gjatë ditëve kur kemi pasur rënie të numrit, nuk guxojmë të relaksohemi tërësisht. Virusi është ende prezent dhe ne ende jemi në kohën e pandemisë. Asgjë nuk ka përfunduar. Është e vërtetë që jemi në trend të lire, duke shkuar drejt përfundimit të kësaj pandemie, mirëpo mëgjithatë virusi është këtu”.
Edhe pse mund të ketë ngritje dhe ulje të numrit me të infektuar, Krasniqi tha se asnjë pandemi nuk përfundon menjëherë.
I pyetur rreth provave për protestë që janë zhvilluar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Krasniqi tha se nuk i komenton ngjarjet që ndërlidhen me politikë.
“Nuk komentoj ngjarjet politike, por masat për grumbullim të njerëzve në cfarëdo ambienti janë ende në fuqi. Grumbullimet e njerëzve as që duhet të bëhen fjalë”.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës para dy javësh mori vendim dhe nga data 4 maj ka filluar lehtësimi gradual i masave të izolimit, që ishin ndërmarr për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Sipas asaj që ka njoftuar Ministria, lehtësimi i masave do të zhvillohet në TRI FAZA.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka specifikuar edhe cilat punë mund të fillojnë të kryhen dhe bizneset që do të hapen gradualisht, duke filluar nga 4 maji, raporton FaktePlus.
FAZA e PARË përfshin periudhën nga 4 maji deri më 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.
FAZA e DYTË fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.
FAZA e TRETË hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive./FaktePlus