Vitia: Vaksinohuni, pandemia është larg përfundimit- Delta kërcënim serioz
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen me vaksinën anti-COVID, për të parandaluar përhapjen e virusit
Vitia ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye për të mos u vaksinuar dhe se momentalisht, arma më e fortë kundër COVID-19 është vaksina.
“Arma jonë e vetme kundër COVID-19 tani është vetëm vaksinimi. Sot kur janë hequr kufizimet sipas kategorive për t’u vaksinuar dhe ky proces është bërë shumë i thjeshtë dhe i lehtë për t’u vaksinuar, nuk ka asnjë arsye të vetme për të mos u vaksinuar, asnjë të vetme. Lus edhe një herë të gjithë qytetarët që të vaksinohen sa më shoejtë, sepse përhapja e shpejtë e Delta variantit është kërcënim serioz”, ka deklaruar Vitia
“Pandemia është larg përfundimit ” ka thënë në një konferencë për media këtë të premte Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, derisa ka folur për rrezikun e shfaqjes së një vale të re të virusit, në kohën siç ka thënë kur varianti Delta po përhapet me shpejtësi.
“Pandemia është larg përfundimit dhe duhet ta kuptojmë se hezitimet për t’u vaksinuar do ta përkeqësojnë situatën” është shprehur Vitia derisa ka folur për rritjen e rasteve të Covid 19 gjatë ditëve të fundit në Kosovë.
“Pas një periudhe të konsiderueshme të qetë në vendin tonë dhe për fat të mirë pa raste të vdekjeve të dhënat nga IKSHPK na tregojnë se kemi rritje të rasteve krahas rritjes së numrit të testimeve. Ky numër do te reflektojë në rastet aktive me COVID 19 dhe me këtë edhe që të kemi rritje të rasteve. Ne duhet të veprojmë dhe të përdorim ato mundësi dhe instrumente qe kemi në dispozicion për të parandaluar shpërndarjen e virusit. Sot kur vendi ynë ka vaksina kundër Covid 19 sot kur qytetarët kanë mundësi të zgjedhin vaksinën… nuk ka asnjë arsye për tu mos vaksinuar” ka thënë Vitia.
Ndërsa shefi i mikrobiologjisë në IKSHPK Xhevat Jakupi, ka thënë se “Varianti Delta përhapet shumë më shpejt dhe nënkupton që do të preken më shumë njerëz… Është e domosdoshme që të gjithë njerëzit që nuk janë vaksinuar të vaksinohen sa më parë veçanërisht nuk duhet me pas asnjë 50 vjeçar që nuk është vaksinuar qoftë me një dozë e më së miri me të dy dozat” është shprehur Jakupi.
Jakupi ka thënë se IKSHPK-ja ka mbledhur 100 mostra për variantin Delta për t’i dërguar jashtë vendit por nuk kanër arritur ende t’i dërgojnë.
“Ne kemi planifikuar që nga kjo e hënë afër 100 mostra jashtë vendit përmes një projekti të përbashkët por kompani përgjegjësie nga Kosova nuk ka kapacitetet njohuri profesion për me e kry këtë proces jemi në proces të dërgimit të tyre të mostrave përmes një kompanie tjetër” ka thënë ai.