Ministri tregon a do ta paguajë dënimin e shqiptuar për gjuajtje me armë
Gjuajti me armë gjatë një ahengu në odën e zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj, por tha se nuk e kishte ditur se është e ndaluar me ligj një gjë e tillë. Por, për këtë gjuajtje, zëvendëskryeministri, Dardan Gashi, u dënua me 1700 euro gjobë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se do ta paguajë këtë gjobë, të cilën ai ka zgjedhur ta quaj masë, e jo dënim nga Gjykata.
“Po natyrisht, së pari nuk është dënim, është masë me gjobë. Kjo vetëm ka treguar histerinë që e ka marrë së paku një medium në Kosovë demonizimin për një vit e gjysmë, sepse nuk ka qenë ashtu siç kanë prezantuar ata. Faktet kanë dalë prej prokurorisë, forenzikës se nuk ka qenë asgjë aq dramatike siç e kanë prezantuar. Natyrisht që do ta paguajë, si çdo qytetar tjetër duhet t’i përmbahemi ligjit”, tha Gashi për FaktePlus.
Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Dardan Gashit, Sami Lushtakut dhe Endrit Shalës, për posedim të paautorizuar të armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke festuar e gjuajtur me armë në odën e Fatmir Limajt./FaktePlus