Ministri që nuk punon asgjë, po planifikon t’i shpenzojë 7 mijë euro për telefona
Ministria e Zhvillimit Rajonal, quhet njëra nga 21 ministritë që ka Qeveria e Kosovës. Për këtë ministri që drejtohet nga Rasim Demiri, pak është dëgjuar në opinion lidhur me aktivitetet e saj, pasi që realisht edhe nuk ka bërë ndonjë punë.
Madje ministri Demiri ka së paku tri javë që nuk ka pasur as një takim, qoftë me zyrtarë nga institucione brenda shtetit, e aq më pak me ndonjë delegacion nga jashtë shtetit apo homolog të tij.
Në ueb-faqen e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal njoftohet se takimi i fundit i ministrit ka qenë më 28 shkurt dhe që gati një muaj Demiri nuk ka pritur as përcjellë askënd.
Megjithkëtë, kjo ministri është mjaft aktive kur bëhet fjalë për të shpenzuar paranë e shtetit dhe atë për gjëra lluksi.
Tani ministria e drejtuar nga Rasim Demiri po planifikon të blejë disa telefona fiks dhe disa telefona mobil. Më saktësisht është planifikuar të blihen 27 telefona.
E për këtë blerje Ministria e Zhvillimit Rajonal po parashikon të jap hiç më pak se 7 mijë euro. Kështu është bërë e ditur në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), shkruan FaktePlus.
Sipas dosjes së tenderit telefonat mobil duhet të jenë Android OS, v7.0, me ekran 5.8 inch Super Amoled dhe rezulucion 1440×290 pixels. Këta telefonë duhet të kenë kamerë 12 MP Primary&8 MP Secondary.
Shpenzimet për luks nuk kanë të ndalur në Qeverinë e Kosovës. Blerja e telefonave të mençur tashmë është bërë edhe traditë nga institucionet shtetërore.
Një blerje të telefonit e ka bërë edhe Ministria e Integrimit Evropian, që drejtohet nga Dhurata Hoxha e PDK-së, shkruan FaktePlus.
“Furnizim me telefon mobil” do ta bëjë kompania “Mobi Gega” e cila është shpallur fituese në mesin e tri kompanive konkurrente.
Kompania fituese dhe Ministria e Integrimit Evropian kontratën për këtë tender e kanë nënshkruar më 14.03.2019./FaktePlus