Ministri Mustafa tregon se çfarë do të bëhet me Emin Beqirin pas deklaratave të O’Connellit
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa është deklaruar pasi ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell tha se nuk po mundet t’i garantojë investitorët britanik që janë të interesuar të vijnë në Kosovë, se do të ruhen nga komandanti i Policisë në Ferizaj, Emin Beqiri.
Ambasadori Ruari O’Connell ka thënë gjatë ditës së enjte se është problematike kur në Kosovë nuk ndëshkohen personat të cilët janë zënë në krim dhe korrupsion.
E në këtë rast, ka përmendur mos dënimin e shefit të Policisë në Ferizaj, Emin Beqiri, i cili ishte zënë në vepra të paligjshme.
“Mendoj qe ky është vërtetë një problem. Rasti i Emin Beqirit me vjen në mendje. Ai ishte incizuar duke u përfshirë në gjëra të këqija…”, ka thënë mes tjerash O’Connell.
E pas këtyre deklaratave shqetësuese të ambasadorit britanik, ka folur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa.
Ai në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se për emërimin e Emin Beqirit ka vendosur Drejtoria e Policisë, porse tash pas deklaratave të ambasadorit do të rishikohet ky rast.
Ministri Mustafa ka theksuar se nëse ka fakte për ato që ka thënë ambasadori Ruari O’Connell, patjetër se do të merren masa.
“Drejtoria e Policisë së Kosovës ka vendosur për emërimin e Emin Beqirit në Ferizaj. Por, ne si Ministri e Punëve të Brendshme, bashkë me Drejtorinë e Policisë do të konsultohemi dhe do të marrim masat tona. Patjetër që do të merren masa nëse kemi fakte”, tha shkurt Mustafa për FaktePlus.
Kujtojmë se ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell, ka thënë se është problematike kur në Kosovë nuk ndëshkohen personat të cilët janë zënë në krim dhe korrupsion.
Ai bëri këtë deklaratë derisa u përgjigj në një pyetje të shtruar nga një qytetar rreth mos dënimit të njerëzve të fuqishëm, duke përmendur Sami Lushtakun e shumë tjerë.
LEXO: Komandanti i Policisë, Emin Beqiri, pengesë që investitorët britanik të vijnë në Ferizaj
Diplomatit britanik e ka quajtur problem të madh këtë fenomen dhe në këtë rast ka përmendur mos dënimin e shefit të Policisë në Ferizaj, Emin Beqiri, i cili ishte zënë në vepra të paligjshme.
“Mendoj qe ky është vërtetë një problem. Rasti i Emin Beqirit me vjen në mendje. Ai ishte incizuar duke u përfshirë në gjëra të këqija… Unë kam investitor Britanik të cilët duan të investojnë në Ferizaj, por si mund të ulëm unë në takim me ta dhe t’iu them ‘Mos u brengosni sepse policia në Ferizaj do t’iu ruaje’, kur ne e dimë se njerëzit si këta udhëheqin Policinë, dhe kur e dimë që këto lidhje me kriminalitetin vazhdojnë dhe kur sistemet gjyqësore bëjnë gabime dhe nuk ka përgjegjësi për ata gjykatës që janë duke i bërë këto, dhe është një fjalë për këtë: kapje e shtetit”, ka thënë mes tjerash ambasadori O’Connell.
Ish- shefi i Krimeve Ekonomike të Policisë, Emin Beqiri, kohë më parë akuzohej për keqpërdorim të detyrës, pengim të provuarit dhe moslajmërim të veprës penale, por më pas organet e drejtësisë e liruan nga akuza.
Tash së fundi Emin Beqiri është graduar në detyrë, duke u emëruar komandant i Policisë për rajonin e Ferizajt./FaktePlus