Ministri Mustafa e konfirmon: Kosova sërish ka aplikuar për anëtarësim në INTERPOL
Republika e Kosovës ka aplikuar sërish këtë vit për anëtarësim në organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare, INTERPOL.
Lajmin për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus e ka konfirmuar vetë Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.
Ai është shprehur se Policia e Kosovës i plotëson gjitha kriteret e kërkuara për t’u bërë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare.
“Po Ministria e Punëve të Brendshme ka mbështetë vendimin e Qeverise së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për aplikim në zyrën ligjore të Interpolit, e cila ka pranuar kërkesën dhe e ka konfirmuar aplikimin. Policia e Kosovës ka përmbushur standardet për të hyrë në agjendën e Interpolit”, ka thënë ministri Mustafa për FaktePlus.
Kujtojmë se Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, gjatë vitit të kaluar pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajte në Dubai.
Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL e mbështetën 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 abstenuan. Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.
Për t’u anëtarësuar në Interpol, Kosovës i duhet mbështetja e dy të tretave të votave të përgjithshme të vendeve anëtare të INTERPOL-it.
Por, çfarë është dhe si funksionon Interpoli?
INTERPOL është organizata më e madhe e policisë globale, e përbërë nga 194 vende anëtare. Grupi u krijua zyrtarisht në vitin 1923 si Komisioni Ndërkombëtar i Policisë Kriminale, por u bë i njohur me emrin Interpol në vitin 1956. Ideja për një organizatë të tillë u ngrit në vitin 1914 në Kongresin e parë Ndërkombëtar të Policisë Kriminale në Monako. LEXO ME SHUME KETU. /FaktePlus