Ministri Matoshi deklarohet për aksionin e madh që po ndodhë në Brezovicë
Në mëngjesin e sotëm, njësite nga Policia e Kosovës bashkë me 5 inspektorë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kanë zhvilluar një aksion rreth ndërtimeve në Brezovicë.
Ky aksion i policisë dhe inspektorëve është bërë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, pasi që inspektorët nga ministria kanë dyshime se është duke ndodhur degradim i ambientit.
Për aksionin ka folur edhe vetë ministri Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinorë, Fatmir Matoshi.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Matoshi ka treguar se gjithë aksioni është duke ndodhur për të parë se a është zbatuar apo jo ligji për Parqet Nacionale në momentin kur janë lëshuar lejet ndërtimore.
“Aksioni është duke u bërë me kërkesë të Prokurorisë së Ferizajt me mbështetje të Policisë dhe janë duke marrë pjesë 5 inspektorë të MMPH-së. Qëllimi ka të bëjë me pa nëse janë zbatuar apo nuk janë zbatuar ligji për parqe nacionale në momentin kur janë lëshuar leje ndërtimore për objektet që janë atje”, ka thënë Matoshi për FaktePlus.
Për aksionin që po ndodhë në Brezovicë janë deklaruar edhe zyrtarë nga Policia e Kosovës.
Rastin e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, majori Mehmetali Hajdini nga Stacioni i Policisë në Ferizaj, i cili tha se aksioni policor ka të bëjë për disa raste të dëmtimit e degradimit të mjedisit që kanë ndodhur në Brezovicë.
“Aksioni ka të bëjë lidhur me ambientin, pasi atje është bërë degradim, pra rrjedhimisht kemi të bëjmë me veprën penale degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit neni 347. Për shkak të kësaj dhe kemi ndërmarrë aksione dhe për të marrë masa”, tha majori Hajdini.
Degradimi ambientit është njëra ndër temat që është diskutuar në mjaft shumë në Kosovë, e që në vazhdimësi është kërkuar që të rriten dënimet ndaj atyre që bëjnë shkatërrimin e mjedisit./FaktePlus