Ministri Lluka zhvillon takime në Slloveni
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është duke qëndruar në Slloveni për një vizitë zyrtare ku po mban takime të ndryshme për të shikuar mundësitë për investime.
Lluka është pritur në takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë së Sllovenisë, Zdravko Počivalšek, të cilën e ka njoftuar me potencialin që ofron Kosova me fokus në sektorin energjetik.
Počivalšek do të vizitojë Kosovën me një delegacion që kanë fokus industritë e energjisë, minierave dhe ujërave për të parë nga afër potencialet që ka Kosova.
“Gjatë takimit me menaxhmentin e Bankës shtetërore eksportuese të Sllovenisë, SID BANK, Lluka ka diskutuar futjen e kapitalit slloven në Kosovë në fushën e ujërave, energjisë, mbeturinave dhe agrobiznesit. SID Bank ka paraprovuar kërkesën për financimin e investimeve në vlerë prej rreth 200 milionë EUR në fushën e ujërave dhe agrobiznesit, si dhe janë të gatshëm të konsiderojnë edhe projekte tjera në fushën e ambientit, siç janë trajtimi i ujërave të zeza për komuna deri në 30,000 banorë”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu ministri Lluka është takuar edhe me stafin menaxhues të kompanisë InterEnergo e cila ka investuar rreth 60 milionë euro në Kosovë duke ndërtuar 4 hidrocentrale të cilat janë aktive dhe prodhojnë rreth 35 mwh energji elektrike.
Kjo kompani ka shprehur gjithashtu interesimin për zgjerim pasi që, sipas drejtorit të përgjithshëm Anton Papež, janë të kënaqur me shërbimin dhe trajtimin që po ju bëhet në Kosovë.
Në kuadër të këtij delegacioni ishte edhe Ministri i Bujqësisë, Shukri Maxhuni, i cili bashkë me ministrin Lluka takuan sekretaren e ministrisë së Bujqësisë, Tanja Strniša, ku diskutuan rreth platformës agrare e cila ka për qëllim angazhimin e të gjithë fermerëve në Kosovë, të cilët prodhojnë produkte bazë ushqimore se do të kenë shitje të garantuar nga një sistem i organizuar që merret me përpunimin, asortimin, paketimin dhe shitjen e produkteve, duke krijuar mundësi fermerëve Individualë të zhvillohen përmes qasjes në financa nga po i njëjti mekanizëm.