Ministri i Tregtisë vendos edhe një urdhër për produktet serbe e boshnjake
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala ka urdhëruar inspektorët që t’i verifikojnë dokumentacionet e produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Shala thotë se qëllimi i këtij aksioni është që të ndalohet çdo lloj kontrabande dhe të sekuestrohet çdo produkt i cili nuk ka prejardhje.
“Qëllimi i këtij aksioni është që të bëhet verifikimi dhe sekuestrimi i secilit produkt që mund të jetë i kontrabanduar dhe tregtohet në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Shala në rrjetin social Facebook.
Më poshtë statusi i tij i plotë:
Sot kam urdhëruar Inspektoratin e Tregut të MTI-së që në bashkëpunim me Inspektoratet Komunale të bëjnë inspektime intensive të tregut në Republikën e Kosovës, për të verifikuar çdo dokumentacion të produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe nga vendet tjera dhe krahasimin e këtyre dokumenteve me produktet e ekspozuara në tregun tonë.
Qëllimi i këtij aksioni është që të bëhet verifikimi dhe sekuestrimi i secilit produkt që mund të jetë i kontrabanduar dhe tregtohet në Republikën e Kosovës.
Është obligim ligjor dhe kushtetues që të ndalojmë çdo lloj kontrabande, të sekuestrojmë çdo produkt për të cilin nuk dëshmohet prejardhja. Me këto veprime ne po mbrojmë qenien e shtetit tonë, dhe njëkohësisht konsumatorin, rrjedhimisht qytetarin e Kosovës.E.SH